E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

U thirr nga SPAK, Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi sqaron arsyen

Kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi është thërritur këtë të premte (17 mars) në SPAK, ku ka qëndruar për gati 2 orë, dhe ka dëshmuar në lidhje me një kallëzim të bërë nga një qytetar, i cili pretendon për sulme personale nga ana e kryebashkiakut. Bushi nuk ka dhënë sqarime për mediat pas daljes nga ambientet e SPAK, por ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të sqaruar arsyen e thërritjes së tij në Prokurorinë e Posaçme. Pretendimi i qytetarit nga Kruja, thekson Bushi, lidhet me tre ndërtime pa leje që ky shtetas ka kryer, ndaj të cilave janë marrë masat ligjore.

Bushi thekson se thërritja e tij në SPAK nuk ka lidhje me procedurat e prokurimeve apo tenderave publikë.

“Duke respektuar strikt procedurën hetimore dhe në respekt të informimit të publikut për aq sa më lejon ligji, dua të bëj me dije se sot kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time ne lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoçja, i cili ka pretendimet për sulme personale nga ana Kryetarit të Bashkisë Krujë, në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij, për tre ndertime pa leje të bëra nga ky shtetas, ndaj të cilave janë marrë të gjitha masat ligjore!

Thirrja në SPAK ishte vetëm për këtë pjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me proçedurat e prokurimeve dhe tenderave publike”, shkruan Bushi.

Më tej ai shton se nuk i shmanget të vërtetës dhe ligjit, ndërsa thekson se opozita ka hedh baltë dhe dezinformon publikun.

“Dhashë shpjegimet e mia në përgjigje të ftesës së Prokurorisë, mbi çështjen në fjalë dhe do të vij sa herë që do të jetë e nevojshme prania ime, sepse unë nuk i shmangem të vërtetës dhe ligjit. Çdo aludim tjetër dashakeq në media apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 Majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq, opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›