U vra në krye të detyrës në 2004, Shoqata Amerikano-Shqiptare jep 10 mijë dollarë për familjarët e dëshmorit Allaman Dervishi

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) dhe dhënë një kontribut prej 10 000 dollarësh, për familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi, i cili u vra në 2004 në krye të detyrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku priti në takim kryetarin e Shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj, ku e njohu me proceset reformuese në polici, si edhe me rezultatet e arrira në luftën kundër krimit.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar me praninë e familjarëve të Dëshmorit të Policisë Allaman Dervishi dhe të drejtuesve të Policisë, Rrumbullaku ka falënderuar Shametaj, për solidaritetin e treguar në mënyrë të vazhdueshme, për familjarët e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
“Vlerësoj shumë humanizmin tuaj dhe të anëtarëve të shoqatës, kontributin për të mbështetur dhe për të ndihmuar sadopak familjarët e Dëshmorëve të Policisë. Angazhimi juaj për rritjen e imazhit të Policisë së Shtetit në SHBA, është shumë i nevojshëm për ne dhe për këtë ju jam mirënjohës në emër të Policisë së Shtetit”, tha Rrumbullaku.
Nga ana tjetër Shametaj tha se “pavarësisht se ne jetojmë dhe punojmë në SHBA, e ndiejmë detyrë dhe mision të përkrahim vendin tonë. Sot jemi këtu për t’i dhuruar familjarëve të njërit prej Dëshmorëve të Policisë, një çek me kontributin e të gjithë Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit. Dëshmorët e Policisë janë burim frymëzimi, akti i tyre sublim përbën obligim për të gjithë ne që të kujdesemi dhe të ndihmojmë familjarët e tyre”.
Në shenjë të këtij solidariteti, kryetari i Shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj i ka dorëzuar familjarëve të Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi, çekun prej 10 000 dollarësh.
Familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi kanë falënderuar përfaqësuesit e shoqatës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për solidaritetin dhe respektin e treguar.
/rtsh.al/