UASHINGTON – Çfarë tha secili prej udhëheqësve evropianë përpara takimit me dyer të mbyllura

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH/- Takimi shumëpalësh i presidentit të SHBA-së, Donald Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e Evropës është duke u zhvilluar tani, sipas BBC.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po bisedon me dyer të mbyllura me udhëheqësit evropianë.
Ja çfarë tha secili prej këtyre udhëheqësve evropianë përpara se të fillonte takimi:
• Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bisedimet e sotme kishin qenë “konstruktive” dhe se ishin diskutuar çështje të ndjeshme, duke përfshirë garancitë e sigurisë.
• Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se garancitë e sigurisë dhe takimi tripalësh me Rusinë, Ukrainën dhe SHBA-në do të ishin një hap “historik” përpara.
• Kancelari gjerman, Friedrich Merz theksoi nevojën për një armëpushim para çdo takimi me Rusinë, duke i thënë Trump: “Le të punojmë për këtë dhe le të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë”.
• Presidenti francez, Emmanuel Macron i bëri jehonë thirrjeve të Merz për armëpushim dhe i përshkroi bisedimet – si një çështje sigurie për të gjithë Evropën.
• Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se nevojitej garanci që kjo luftë nuk do të ndodhte përsëri, që do të ishte një parakusht i çdo lloj paqeje.
• Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se aleatët duhet të bënin përpjekje për t’i dhënë fund shënjestrimit të infrastrukturës së Ukrainës.
• Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri thirrje që kthimi i fëmijëve të rrëmbyer ukrainas të ishte një përparësi kryesore, duke shtuar: “Si nënë dhe gjyshe, çdo fëmijë duhet të kthehet në familjen e vet”.
• “Mund të vij nga një vend i vogël, por kemi një kufi të gjatë me Rusinë – dhe mendoj se ka pasur më shumë progres në Ukrainë brenda dy javësh sesa në tre vitet e fundit”, tha presidenti finlandez, Alexander Stubb. //a.i/