E Hënë, 2 Nëntor 2026

Thellohet kriza në Bosnjë-Hercegovinë, Dodik njofton referendum pas heqjes së mandatit dhe dënimit nga Gjykata

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka njoftuar se në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës do të mbahet referendum në fund të shtatorit. Njoftimi u bë në një konferencë për media në Banja Llukë, ku kryeministri Radovan Vishkoviq dha dorëheqjen.

“Ne kërkojmë respekt dhe liri, e cila do të vijë përmes referendumit. Kjo është porosia jonë, na ktheni te Marrëveshja e Dejtonit. Qëndrimin tonë do ta japim në referendumin që do të mbahet në fund të shtatorit”, tha Dodik.

Shpallja e referendumit vjen pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjë-Hercegovinës (KQZ) i hoqi Dodikut mandatin për postin e presidentit të Republikës Sërpska, dhe tashmë ai po kërkon që për këtë çështje të shprehen qytetarët. Vendimi i KQZ-së u mor pak ditë pasi Gjykata e Bosnjës, në fillim të gushtit, e shpalli Dodikun fajtor dhe e dënoi me një vit burgim, si dhe me gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Ekipi ligjor i Dodikut ka ankimuar vendimin e KQZ-së në Gjykatën e Bosnjës, ku pritet vendimi përfundimtar. Nëse ankesa refuzohet, do të shpallen zgjedhje të parakohshme për president brenda 90 ditësh. Mandati i presidentit të ri do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Kujtojmë se Dodik nuk është i panjohur me referendumet,  pasi ai organizoi një të tillë në vitin 2016 për Ditën e Republikës Sërpska, që u shpall jokushtetues. Ndërkohë që kjo lëvizje e presidentit të entitetit serb mund të ndezë më tej konfliktet dhe sfidat për stabilitetin në rajon.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›