UASHINGTON – SHBA heq përkohësisht tarifat për disa produkte meksikane

UASHINGTON, 6 mars /ATSH-AA/ – Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot se Meksika nuk do të paguajë tarifa për mallrat e mbuluara nga Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) deri më 2 prill.
Vendimi erdhi pas diskutimeve me presidenten meksikane Claudia Sheinbaum, të cilën Trump e vlerësoi për bashkëpunimin në sigurinë kufitare dhe luftimin e trafikut të fentanilit.
“Pasi fola me presidenten Claudia Sheinbaum të Meksikës, kam rënë dakord që Meksikës nuk do t’i kërkohet të paguajë tarifa për çdo gjë që bie nën Marrëveshjen USMCA”, shkroi Trump në Truth Social.
Kjo masë ishte gjest respekti për Sheinbaum, tha ai, duke theksuar përpjekjet e tyre bashkëpunuese për të trajtuar imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.
Përjashtimi zbatohet për sektorët kyç si qumështi, automobilat dhe farmaceutikët. Ai pason vendosjen e një tarife prej 25 për qind nga SHBA-ja për importet meksikane që hyri në fuqi më 4 mars.
Meksika kishte shqyrtuar më parë tarifa hakmarrëse ndaj mallrave amerikane.
USMCA është zëvendësimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) në 2020, që rregullon tregtinë midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë. /os/