E Hënë, 2 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA i propozon OKB-së të autorizojë një forcë stabilizuese në Gaza për 2 vjet

UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hartuar një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që do të siguronte një mandat për një forcë ndërkombëtare stabilizuese në Gaza për të paktën dy vjet, duke shënuar hapin tjetër në planin e presidentit amerikan, Donald Trump për të ndaluar luftën 2-vjeçare midis Izraelit dhe Hamasit.

Drafti, i konfirmuar për Associated Press nga dy zyrtarë amerikanë, është një model i hershëm për atë që ka të ngjarë të jenë negociata të gjera midis anëtarëve të këshillit prej 15 anëtarësh dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës, thanë se drafti po diskutohet dhe ndryshohet bazuar në këto diskutime.

Vendet arabe dhe të tjera që kanë shprehur interes për të marrë pjesë në forcën stabilizuese kanë treguar se mbështetja e OKB-së për planin është e nevojshme për t’i bindur ata të kontribuojnë me trupa.

“Ajo që ne besojmë është se çdo entitet që krijohet në Gaza duhet të ketë legjitimitetin e një mandati nga Këshilli i Sigurimit”, u tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gazetarëve në Doha.

Drafti u shpërnda dje pasdite dhe është përgatitur si pikënisje për të gjetur konsensus që do t’i jepte forcës stabilizuese dhe vendeve pjesëmarrëse një mandat ndërkombëtar.

Kina dhe Rusia – dy nga anëtarët e përhershëm të këshillit – ka të ngjarë të bëhen opozita më e madhe për SHBA-në, ndërsa ajo përpiqet të nxisë një rezolutë pa e vënë veton asnjëri vend.

Drafti kërkon që forca të sigurojë “procesin e demilitarizimit të Rripit të Gazës” dhe “shkatërrimin e përhershëm të armëve nga grupet e armatosura jo-shtetërore”.

Një pyetje e madhe në planin 20-pikësh të Trump për një armëpushim dhe rindërtim në territor është mënyra për të çarmatosur Hamasin, i cili nuk e ka pranuar plotësisht këtë hap.

Drafti do t’u jepte vendeve që marrin pjesë në forcën e stabilizimit – një mandat të gjerë për të ofruar siguri në Gaza deri në fund të vitit 2027, duke punuar me një “Bord Paqeje” që ende nuk është krijuar dhe që do të qeveriste përkohësisht territorin.

Drafti kërkon që forca të konsultohet dhe të bashkëpunojë ngushtë me Egjiptin dhe Izraelin.

Dokumenti gjithashtu thotë se trupat e stabilizimit do të ndihmojnë në sigurimin e zonave kufitare, së bashku me një forcë policore palestineze që ata e kanë trajnuar dhe verifikuar, si dhe do të koordinohen me vendet e tjera për të siguruar rrjedhën e ndihmës humanitare.

Ai gjithashtu thekson “rifillimin e plotë” të ndihmës për Gazën nga Kombet e Bashkuara, Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe dhe sigurimin që furnizimet e nevojshme të mos devijohen. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›