E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA-ja: Progres në negociatat Liban-Izrael, synohet zgjerimi i zonave pilot

UASHINGTON, 6 gusht /ATSH-DPA/- Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi sot se Libani dhe Izraeli kanë bërë progres në negociatat për zbatimin e marrëveshjes së sigurisë, pas bisedimeve teknike dhe në nivel ekspertësh të zhvilluara në Romë.

Sipas zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, palët janë shumë më pranë një marrëveshjeje për zgjerimin e të ashtuquajturave “zona pilot”, ku ushtria libaneze do të marrë kontrollin dhe do të çarmatosë militantët e Hezbollahut, ndërsa ushtria izraelite do të tërhiqet gradualisht nga këto zona.

Muajin e kaluar, u krijuan zonat e para pilot në tre qytete të Libanit jugor: Frun, Srifa dhe Sautar al-Gharbija.

Përfaqësuesit e Libanit dhe Izraelit u takuan në Romë nga e marta deri të enjten për të diskutuar zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes, e cila parashikon: tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor dhe çarmatimin e Hezbollahut nga ushtria libaneze.

Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Hezbollahu nuk merr pjesë në negociata.

Bisedimet mes Libanit dhe Izraelit kanë nisur në mesin e prillit dhe përbëjnë negociatat e para të drejtpërdrejta politike, mes dy vendeve pas disa dekadash.

Megjithëse zyrtarisht vazhdojnë të jenë në gjendje lufte dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike, synimi i tyre është të forcojnë armëpushimin dhe të ulin tensionet në kufirin jugor të Libanit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›