E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta gazetari italian Stefano Marcelli

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare gazetari italian Stefano Marcelli, ish-korrespondent special dhe ish-kryeredaktor i redaksisë së Rai-t në Toskanë.

Lajmi u bë i ditur sot nga Shoqata e Shtypit e Toskanës dhe Urdhri i Gazetarëve të Toskanës, ndërsa Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehu ngushëllimet për familjarët dhe kolegët e tij.

Marcelli e nisi karrierën në gazetari në vitin 1975, në moshën 20-vjeçare, në redaksinë e “Paese Sera” në Firence. Gjatë karrierës së tij të gjatë ai punoi në disa prej mediave më të rëndësishme italiane dhe u angazhua në kronikë, politikë dhe gazetari investigative.

Ai trajtoi çështje të rëndësishme, përfshirë organizatën sekrete P2, mafien, terrorizmin, luftën në ish-Jugosllavi, tragjedinë e tragetit “Moby Prince” dhe zhvillimet në Algjeri.

Gjithashtu raportoi për rënien e Murit të Berlinit dhe hetoi trafikun e mbetjeve toksike në Afrikë, ku gjatë një investigimi u mor peng në Nigeri.

Një pjesë të rëndësishme të viteve të fundit Marcelli e lidhi me Shqipërinë. Ai kontribuoi në median shqiptare si autor dhe kolumnist i “Albanian Post”, ku publikoi analiza dhe shkrime mbi Shqipërinë, Kosovën, Ballkanin, Evropën dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Marcelli e konsideroi Shqipërinë si shtëpinë e tij të dytë. Ai ishte bashkëshorti i gazetares shqiptare Gerta Zaimi, ndërsa së bashku kishin krijuar familjen e tyre në Shqipëri.

Në shkrimet e tij, Marcelli trajtoi me kriticizëm çështje si korrupsioni, krimi i organizuar dhe cilësia e debatit politik, duke mbrojtur njëkohësisht demokracinë, lirinë e shtypit dhe dinjitetin njerëzor.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehu dhimbjen për humbjen e gazetarit italian dhe përcolli ngushëllime për bashkëshorten e tij, Gerta Zaimi, si dhe për vajzën Sofia dhe djalin Andrea.

Stefano Marcelli u nda nga jeta në Firence, duke lënë pas një karrierë më shumë se pesëdekadëshe në gazetari dhe një kontribut të veçantë edhe në median shqiptare.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›