UASHINGTON – SHBA-ja shqyrton rifillimin e negociatave me Iranin, Vance i dërgon letër Teheranit

- UASHINGTON, 29 tetor /ATSH/- Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë iranian të sigurisë, Mohsen Rezaei, në një përpjekje për të shqyrtuar mundësinë e rifillimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit, sipas “Reuters”.
Sipas burimeve, letra synon të kuptojë nëse të dyja palët mund të gjejnë një bazë të përbashkët, për të rifilluar bisedimet dhe për të shmangur një valë të re sulmesh amerikane ndaj Iranit.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump mohoi se e kishte udhëzuar Vance të ndërmerrte hapa për rifillimin e negociatave të paqes.
Ai deklaroi se nisma lidhej me nevojën e Iranit për furnizime mjekësore.
“Kanë nevojë për ndihmë me furnizime mjekësore dhe gjëra të tjera”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se Vance e kishte pyetur për mendimin e tij dhe se ai e kishte miratuar këtë ndihmë.
Sipas raportimeve, letra u përcoll përmes ndërmjetësve nga Katari dhe iu dorëzua Rezaeit të dielën, më 25 tetor.
Ajo nuk është bërë publike, por sipas “The New York Times”, Vance propozoi një takim të afërt mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë, me të në krye të delegacionit amerikan.
Bisedimet do të përfshinin që në fillim programin bërthamor të Iranit.
Katari dhe Turqia janë përmendur si vende të mundshme ku mund të zhvillohen takimet.
Agjencia “Reuters” raportoi se Irani e kishte marrë letrën, por ende nuk i ishte përgjigjur.
Media iraniane tha se Teherani nuk kishte dhënë një përgjigje zyrtare dhe se raportimet për përmbajtjen e letrës nuk ishin konfirmuar nga autoritetet iraniane.
Kërcënimet për sulme të reja
Përpjekjet diplomatike zhvillohen në një kohë kur Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ushtarake ndaj Iranit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që do të mbahen më 3 nëntor.
Sipas “The Wall Street Journal”, administrata amerikane po shqyrton mundësinë e një operacioni të shkurtër, por intensiv ushtarak, në javët e ardhshme, nëse nuk arrihet përparim diplomatik.
Trump u ka kërkuar gjithashtu vendeve aleate në Gjirin Persik të përgatiten për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do t’u përgjigjet sulmeve të reja amerikane dhe izraelite.
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se mbeten të hapura për diplomaci, por kërkojnë që të merren parasysh kushtet e tyre për uljen e tensioneve.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani vijon kontaktet me ndërmjetësit për të shqyrtuar propozime që mund të mundësojnë zbatimin e planit iranian shtatëditor për uljen e tensioneve.
Ky plan parashikon hapa të njëpasnjëshëm, përfshirë heqjen e bllokadës detare amerikane dhe lirimin e një pjese të aseteve iraniane të ngrira, në këmbim të hapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe nisjes së negociatave.
Uashingtoni e ka kundërshtuar deri tani këtë plan.
Ndërkohë, Katari dhe vende të tjera të rajonit po përpiqen të ndërmjetësojnë për të shmangur rifillimin e luftimeve.
Një propozim i ri për përfundimin e luftës, i përcjellë nga ndërmjetësit e Katarit, është cilësuar i papranueshëm nga një zyrtar i lartë iranian.
Për momentin, nuk ka një marrëveshje të konfirmuar për rifillimin e negociatave dhe mbetet e paqartë nëse letra e Vance do të çojë në një takim mes dy palëve. //a.i/