UASHINGTON – SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me Iranin

UASHINGTON, 15 prill /ATSH/- Departamenti Amerikan i Thesarit ka njoftuar një seri sanksionesh të reja ndaj individëve, organizatave dhe anijeve të lidhura me Iranin, sipas BBC.
Tre persona, nëntë anije dhe 17 entitete – që mund të përfshijnë kompani apo organizata – janë përfshirë në listën e sanksioneve, sipas përditësimit në faqen zyrtare të institucionit.
Ky vendim vjen pas një deklarate të sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, i cili më herët njoftoi se SHBA-ja nuk do të rinovojë përjashtimin nga sanksionet që kishte lejuar blerjen e naftës ruse dhe iraniane që ndodhej në det.
Megjithëse jo drejtpërdrejt, zëdhënësja për shtyp Karoline Leavitt dhe sekretari ametikan i Thesarit, Scott Bessent iu përgjigjën sot në mbrëmje disa pyetjeve lidhur me luftën në Iran.
Bessent tha se çdo lëvizje në çmimin e naftës do të varet nga ecuria e negociatave me Iranin, por shtoi se ishte “optimist” që çmimi i benzinës në SHBA do të bjerë në rreth 3 dollarë për gallon deri në fund të shtatorit.
“SHBA-ja i ka kërkuar vendeve të Lindjes së Mesme të ngrijnë llogaritë bankare të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe do të shqyrtojë sanksione dytësore nëse kjo nuk ndodh”, shtoi ai.
“Gjithashtu, administrata Trump nuk do të rinovojë përjashtimet e përkohshme që lejonin blerjen e naftës ruse dhe iraniane”, theksoi Bessent.
Leavitt tha se planet për një raund tjetër bisedimesh paqeje “ballë për ballë” janë ende në diskutim dhe ka të ngjarë të mbahen sërish në Islamabad.
“Presidenti Xi Jinping i ka siguruar Donald Trump se Kina nuk po furnizon Iranin me armë, ndërsa bankat kineze janë paralajmëruar për mbajtjen e fondeve iraniane”, tha ajo.
“Nuk ka një afat të përcaktuar për kohëzgjatjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane”, tha Leavitt. //a.i/