E Hënë, 2 Nëntor 2026

UBT dhe Universiteti MATE i Hungarisë forcojnë bashkëpunimin akademik dhe kërkimor

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës ka zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar duke nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Universitetin hungarez  për Bujqësinë dhe Shkencat e Jetës (MATE), me fokus forcimin e kërkimit shkencor, shkëmbimeve akademike dhe zhvillimit institucional.

Marrëveshja u firmos në Tiranë nga rektori i UBT-së, prof. dr. Fatbardh Sallaku dhe rektori i MATE, prof. dr. Csaba Gyuricza, në praninë e ambasadores së Hungarisë në Tiranë, Martina Kasnyik.

Rektori Sallaku e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universitetit. “Ky bashkëpunim hap mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik në fushën e kërkimit dhe inovacionit”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, rektori i MATE, Gyuricza, vlerësoi potencialin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, duke theksuar rëndësinë e projekteve të përbashkëta në shkencat e jetës dhe bujqësi.

Marrëveshja parashikon shkëmbime studentësh dhe pedagogësh, projekte të përbashkëta kërkimore, organizim konferencash e trajnimesh, si dhe bashkudhëheqje të temave të studimit në të gjitha ciklet akademike.

Ambasadorja Kasnyik vlerësoi gjithashtu partneritetin, duke e konsideruar atë një shembull të forcimit të marrëdhënieve akademike mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›