E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET, projektuar drejt cilësisë

Prof. asoc. Dr. Tonin Gjuraj. Rektor i Universitetit Europian të Tiranës

TONIN GJURAJ

Përballë një realiteti arsimor gjithnjë e më dinamik, të tejngopur me oferta të diferencuara programesh mësimore bashkëkohore, si dhe përkthime tekstesh të larmishme të autorëve më përfaqësues në fushat përkatëse të dijes, sfida kryesore për institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri mbetet cilësia. Prandaj këtë dekadë mund ta quajmë, pa hezitim, dekada e cilësisë në arsimin e lartë.
Universiteti Europian i Tiranës, si institucion akademik, që në fillimet e veta ka pasur, në fakt, si fokus qendror cilësinë. Ai ka sot një staf akademik të qëndrueshëm, të aftë për të transmetuar te studentët arritjet më të mira të shkencave në të cilat ne kemi mbështetur programet e studimit. Po ashtu, UET përdor procedura transparente të rekrutimit të stafit akademik me anë të konkurseve të hapura çdo fillimviti dhe ndjek vazhdimisht ecurinë e kualifikimit me anë të raportimit individual, takimeve të personalizuara të pedagogëve gjatë procesit të vlerësimit të progresit akademik vjetor (follw-up-it), që ndihmon në rekrutimin e një stafi cilësor dhe në krijimin e nxitjeve të mjaftueshme për avancimin akademik të të gjithë pedagogëve.
UET, nëpërmjet programeve studimore të larmishme në shkencat sociale, ekonomike e juridike, përpiqet tu japë përgjigje të diferencuara pyetjeve gjithnjë e më komplekse të këtij realiteti. Këtë ofertë të larmishme studimore në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoraturë e shfrytëzojnë shumë studentë, të cilët konsiderojnë studimin në universitet si një investim për të ardhmen dhe një start në karrierën profesionale. Dijen e marrë nga komuniteti ynë mësimdhënës, përpiqen tia vënë në shërbim progresit të shoqërisë dhe tregut, por edhe të mësojnë zbulojnë të vërtetat.
Kësisoj ne besojmë se kemi krijuar një institucion cilësor, një staf të përgatitur, të shkolluar në Perëndim, me aftësi dhe aspirata të larta. Kemi studentë të motivuar, natyrisht edhe prej faktit se paguajnë vetë për privilegjin e të mësuarit në UET.  Universiteti Europian i Tiranës mund të konsiderohet një institucion i konsoliduar arsimor, me një filozofi të qartë analitike në mësimdhënie dhe impakt të jashtëzakonshëm social, sidomos në realitetin aktual mediatik e politik të shoqërisë shqiptare.
Por, dinamikat aktuale të zhvillimit kërkojnë një theksim të përpjekjeve të secilit për të rritur më tej shkallën e kualifikimit akademik dhe shkencor. Kjo lidhet veçanërisht edhe me licencimin e UET për të zhvilluar studime në ciklin e tretë, studime doktorale, gjë që kërkon si domosdoshmëri një trupë akademike cilësore dhe me kualifikimin e nevojshëm për të arritur objektivat shkencorë e mësimorë.  Për këtë, ne kemi përpunuar një program të strukturuar qartë të kualifikimit të stafit akademik, nisur nga arritjet dhe objektivat strategjikë që ka UET për një hop cilësor në realizimin e programeve të studimit në çdo nivel. Objektivat e kualifikimit personal shndërrohen edhe në objektiva të institucionit të UET, për të krijuar një universitet vërtet cilësor, në standardet më të përparuara të vendeve europiane.  Pra, ne shohim me shumë optimizëm dekadën e re të cilësisë.
Kërkimi shkencor duhet të synojë kërkimin e pandërprerë të të vërtetave dhe të mos i nënshtrohet sforcimit dhe artificialitetit.  Universitetet dhe stafi vlerësohen në tri detyra kryesore: mësimdhënie, kërkim dhe shërbime, që të mos fokusohemi në parametra sasiorë, por më shumë në ato cilësorë.
Disa prej kritereve dhe objektivave në lidhje me cilësinë në universitete mund të përmblidhen në një projekt prej dhjetë pikash:
Së pari, akreditimi i institucionit dhe programeve, si përparësi absolute. Akreditimi i të gjitha  programeve duhet të ndodhë sa më parë edhe për universitetet publike. Më pas, një evaluim/renditje ndërkombëtare, i besueshëm dhe i detyrueshëm për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik në Shqipëri.
Së dyti, kujdesi ndaj ofertës formative, që do të thotë se këtu ka rëndësi të madhe oferta e kurseve që kanë të bëjnë me metodologjinë e punës shkencore, pasi një pjesë e mirë e punimeve të diplomës në Shqipëri vuajnë prej mungesës së metodologjisë, pasi një pjesë e stafit kanë vetë probleme me njohjen dhe përdorimin e duhur të metodologjisë.
Së treti, kujdesi rreth ofertës didaktike, ku secili pedagog të dorëzojë përpara Këshillit të Departamentit apo të Fakultetit (sipas rastit) propozimet e tij/saj për kurset, modulet apo lëndët që do të mbahen, të paktën një vit para. Ndërkaq, duhet të sillet e gjithë bibliografia e duhur, për çdo modul a lëndë, në bibliotekën e Universitetit.
Së katërti, nevoja për një audit institutional, që do të thotë përdorimi i sistemit të vlerësimit të brendshëm: studentët, pedagogët dhe personeli duhet të shprehen rreth mangësive apo gjërave që mund të përmirësohen. Pra, vlerësim jo vetëm për pedagogët dhe administratën prej studentëve, por edhe pedagogë e administratë për superiorët e tyre dhe sistemin në tërësi.
Së pesti, nënshkrimi i kontratës së performancës prej secilit pedagog dhe vlerësimi i saj në fund të vitit akademik, gjatë procesit të follw-up-it.
Së gjashti, bashkëpunimi me universitete të huaja, si shkëmbim eksperiencash dhe pedagogësh; organizimi i konferencave shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe botimi i akteve të tyre.
Së shtati, krijimi i një website-i dinamik, me shërbime të gjithanshme për studentët dhe stafin.
Së teti, CV transparente e pedagogëve, numri i librave dhe artikujve shkencorë të botuar në një periudhë trevjeçare, numri i recensioneve që u bëhen veprave të tyre, nëse janë të ftuar jashtë shtetit në aktivitete të rëndësishme akademike, jo thjesht pjesëmarrje në konferenca në Maqedoni, Kosovë apo rajon, duke i paraqitur ato si konferenca me impakt të fortë ndërkombëtar.
Së nënti, ndalimi i mësimdhënies së stafit të brendshëm akademik në universitete të tjera, duke lejuar ndoshta vetëm 2 – 3 orë në javë në ato institucione me të cilat ekzistojnë marrëveshje a protokolle bashkëpunimi.
Së dhjeti, pjesëmarrje e rregullt në konferencën Going Global 2012, një konferencë e përvitshme e edukimit ndërkombëtar, organizuar prej Këshillit Britanik në Londër, ku trajtohen dhe debatohen çështje arsimore shumë bashkëkohore, me tematike Changing education for a changing world.
Ne në Universitetin Europian të Tiranës e kemi të qartë rrugën që duhet të ndjekim në rritjen e cilësisë që u ofrojmë jo vetëm studentëve tanë, por shoqërisë shqiptare në tërësi. E kuptojmë që kjo do të kërkojë përkushtimin maksimal në çdo sekuencë të vetme të punës sonë dhe prandaj jemi të motivuar. Nëse do të arrijmë të ndërtojmë qendra të zhvilluara për kultivimin e ideve, siç janë universitetet, besoj se do të kemi filluar ndërtimin e një shoqërie që është në gjendje të parashikojë hapat që duhet të hedhë për të zhvilluar një të ardhme të ndritur dhe të përmbushë detyrimet që i dalin.
*Rektor i Universitetit Europian të Tiranës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›