Kosovarët antievropianë, ndërsa Malli Sllobo mik i Evropës
Në Kosovë të gjithë ata që kanë kundërshtuar kompromisin për emrin e shtetit të tyre janë quajtur antievropianë. Në Bruksel lëvizja Vetëvendosje konsiderohet si rrezik serioz për rajonin. E këtë javë në Bruksel me ftesë të organizatës Miqtë e Evropës do të flasë Ivica Daçiq (dikur bashkëpunëtori më i ngushët i Slobodan Milosheviqit, që e quanin Slloba i Vogël ), ndërsa pjesëmarrësit do ti argëtojë një tjetër ithtar i kasapit të Ballkanit – Emir Kusturica. Ky është realiteti se çfarë mendojnë në Evropë për Kosovën dhe kosovarët
Këto ditë opinioni kosovar është objekt i një fushate të orkestruar me përmasa ndërkombëtare për të bindur se kompromisi i arritur me Serbinë të premten është në të mirë të Kosovës. Pjesë e kësaj fushate janë Qeveria e Kosovës, zyrtarë të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka asgjë të keqe kur strukturat politike përpiqen që qëllimet dhe qëndrimet e tyre tia shesin opinionit publik. Ekspertët për PR (shkurtesa angleze për Marrëdhënie Publike) mund të analizojnë sesa efikase është kjo fushatë, por është evidente se gjithçka ishte e përgatitur kohë më parë. Kryeministri Thaçi në Kosovë me prononcimet e tij se Serbia po e njeh Kosovën, ministri i Jashtëm, Hoxhaj, se Kosovës po i hapet rruga për në BE, përshëndetjet dhe urimet nga Brukseli, Uashingtoni, Berlini, Londra e Tirana dhe të gjitha me një qëllim që të mos kritikohet Qeveria e Kosovës për aktin që e bëri e që para dy javësh tha se nuk do ta bëjë; të pranojë kërkesën e Serbisë që të ketë referencë në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e dinin mirë dhe saktë se kur dhe si do të dalin në përkrahje të tyre diplomatët e lartë ndërkombëtarë, dhe madje në media i paralajmëronin ato. Kësaj radhe dukej paksa e tepruar, sepse popullit të Kosovës i thuhej se nuk keni nevojë të mendoni-ajo që ne themi se është e mirë edhe është e mirë për ju. Pra populli i Kosovës nuk do të duhej fare të mendojë për Marrëveshjen me Serbinë, as për përmbajtjen e fusnotës së famshme, sepse ka kush mendon në vend të tyre.
Kosovarët nuk duhet kurrsesi të flasin për këtë. Dhe nëse marrin guximin të flasin duhet ta përshëndesin marrëveshjen. E nëse në ndonjë rast mendojnë se marrëveshja nuk është e mirë, dhe e thonë këtë publikisht, atëherë janë pseudointelektualë, janë antiamerikanë dhe antievropianë. Në Kosovën e pavarur edhe e drejta në mendim të pavarur do të duhej të respektohej. Si duket Kosova ka ardhur në një situatë kur diplomatët e huaj duhet të vendosin se kush është intelektual e kush pseudointelektual, kush është burrë e kush jo. Kësaj radhe, edhe pse porositë erdhën nga miqtë e dëshmuar të Kosovës, ndikimi i tyre ishte i limituar.
Në bazë të reagimeve mund të thuhet se shumica e qytetarëve të Kosovës, dhe e tërë opozita, nuk ishin të impresionuar me interpretimet vetëm pozitive të kompromisit me Serbinë. Duket se ata e kanë kuptuar lojën e dialogut tashmë. Në këtë dialog është bërë një zinxhir i qarqeve të ndërvarura. Suksesi i dialogut, ashtu siç është projektuar në Bruksel, varet nga vullneti i Qeverisë së Kosovës për kompromis. Stabiliteti i Qeverisë së Kosovës varet nga mbështetja ndërkombëtare. Me mbështetje ndërkombëtare heshtet edhe opozita. Ajo mbështetje nganjëherë mund të shkojë edhe aq larg, saqë të ndërpresë edhe ndonjë hetim të EULEX-it nëse ato hetime mund të shkojnë tepër larg. Ajo mbështetje legjitimon edhe manipulimet e zgjedhjeve. Kritikat ndaj dialogut vetëm sa e kanë forcuar Qeverinë e Hashim Thaçit në sytë e ndërkombëtarëve, edhe pse duket se dialogu e ka dobësuar këtë Qeveri në sytë e qytetarëve të Kosovës. Në këtë proces ka disa elemente në zinxhir dhe cilido që në këtë zinxhir del nga rrethi, i tërë procesi rrezikohet.
A është i saktë gjithmonë mendimi i miqve ndërkombëtarë
Miqtë duhen respektuar gjithmonë dhe në rastin e Kosovës edhe me shumë. Pa miq Kosova sot nuk do të ishte e lirë dhe as e pavarur. Respekti i miqve ka qenë gjithmonë edhe pjesë e traditës në Kosovë: por ekziston në Kosovë edhe thënia se edhe miku e di ku e ka vendin. Prej kur me ndihmën e miqve Kosova u bë e pavarur, shtetet mike përfaqësohen në Kosovë nga ambasadorët e tyre. Kosova përfaqësohet po ashtu në disa prej këtyre vendeve me ambasadorë po ashtu. Dhe mendimet e tyre duhen marrë seriozisht dhe duhen respektuar. Por ata po i ngatërrojnë rolet e tyre. Një ditë u thonë kosovarëve se duhet të marrin përgjegjësi për veten e tyre dhe të heqin kulturën e varësisë nga të huajt dhe të nesërmen u tregojnë kosovarëve se çka është mirë e çka është keq për ta apo kush është intelektual e patriot e kush pseudointelektual e kush jo.
Me vite kosovarët kanë punuar që të ndërtojnë një imazh të mirë të tyre në skenën ndërkombëtare. Serbia këto përpjekje i ka luftuar dhe madje i tmerrohej asaj që e quanin internacionalizim i çështjes së Kosovës. Kosova në fund të viteve të shekullit të kaluar fitoi një mbështetje të madhe morale, politike dhe në fund edhe ushtarake ndërkombëtare që rezultoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe Çlirimin e Kosovës.
Që nga Çlirimi i Kosovës e deri më sot imazhi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka shkuar në drejtim të kundërt, duke u keqësuar. Dhe sot Kosova dhe qytetarët e saj janë të izoluar, të padëshiruar, ndërsa liderët e Kosovës të dyshuar edhe pse të toleruar për nevoja të menaxhimit të situatave të momentit. Edhe disa nga ata që paraqiten si miq të Kosovës e dinë se Kosova ka probleme serioze me imazh. Ky imazh nuk përmirësohet me kompromise me Serbinë (madje këto kompromise nganjëherë shihen edhe si shenjë sesa seriozisht e marrin kosovarët shtetin e tyre) e as me fushata të paguara nëpër media. Ky imazh përmirësohet duke luftuar dhe zvogëluar dukuritë të cilat kanë bërë që të dëmtohet imazhi siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë dhe pjesëmarrja disproporcionalisht e madhe e Kosovarëve në krimin e organizuar jashtë Kosovës. Imazhin e Kosovës nuk e përmirësojnë raportet e lidershipit me strukturat ndërkombëtare, por demokratizimi dhe zhvillimi i brendshëm i Kosovës. Për ta parë se ku gjendet sot Kosova e ku Serbia, jo vetëm në rrugën e tyre drejt BE-së, por edhe me imazh, mund të shikoni se kush është në pushtet në Serbi, çfarë bëjnë dhe çfarë mendojnë për ta në BE e besa edhe në SHBA.
Slloba i Vogël mik i Evropës kosovarët antievropianë
Në Kosovë të gjithë ata që kanë kundërshtuar kompromisin për emrin e shtetit të tyre janë quajtur antievropianë. Në Bruksel lëvizja Vetëvendosje konsiderohet si rrezik serioz për rajonin. E këtë javë në Bruksel me ftesë të organizatës Miqtë e Evropës do të flasë Ivica Daçiq (dikur bashkëpunëtori më i ngushët i Slobodan Milosheviqit), ndërsa pjesëmarrësit do ti argëtojë një tjetër ithtar i kasapit të Ballkanit- Emir Kusturica. Ky është realiteti se çfarë mendojnë në Evropë për Kosovën dhe kosovarët dhe për këtë në Kosovë duhet ta vënë
