UGSH: Sulmi i deputetit opozitar ndaj gazetares Iris Rezhda në Korçë i papranueshëm

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot në lidhje me një incident që ndodhi në Korçë ndërmjet deputetit të Partisë Demokratike Fidel Kreka dhe gazetares Iris Rrezhda.
UGSH denoncoi “sjelljen e papranueshme dhe sulmin e deputetit të PD-së zotit Fidel Kreka, ndaj reporteres Iris Rezhda, si një akt brutal dhe të papranueshëm për një përfaqësues me mandat në Kuvendin e Shqipërisë”.
Sipas UGSH-së deputeti në fjalë, jo vetëm ka sulmuar reporteren, por ka inkurajuar mbështetësit e tij, të cilët i janë drejtuar gjithashtu gazetares, me kërcënime, sharje dhe ofendime.
“Sikundër raportojnë mediet dhe kolegë të pranishëm, mbështetësit e deputetit opozitar me agresivitet i janë afruar gazetares duke ushtruar presion dhe duke përdorur një gjuhë krejtësisht të papranueshme”, njoftoi UGSH.
UGSH nënvizon se “ky agresivitet dhe gjuha e papranueshme ka ardhur pasi kolegia i është drejtuar kryetarit të PD-së, Sali Berisha me disa pyetje të cilat, kanë qenë mesa duket të padëshirueshme për deputetin e Korçës, ndonëse kryetari i PD, zoti Berisha ka reaguar me korrektesë”.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncoi sjelljen e deputetit Kreka dhe të mbështetësve të tij dhe kërkon një reagim të menjëhershëm publik.
Gjithashtu UGSH u kërkon autoriteteve policore që pas verifikimit të imazheve filmike, ndaj personave që kanë përdorur dhunë verbale dhe fizike ndaj gazetares të merren masa ligjore.
UGSH shpreh solidaritetin me kolegen dhe bën apel që në kushtet e hyrjes në periudhën paraelektorale, partitë politike dhe militantët partiakë, të dëshmojnë kujdes dhe të respektojnë misionin raportues të gazetarëve.
/m.q/a.f/r.e/