UKRAINË – Miliona pa energji elektrike pas sulmeve ruse

KIEV, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Miliona qytetarë në Ukrainë u prekën sot nga ndërprerjet e energjisë elektrike, pas sulmeve të reja ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit gjatë fundjavës, njoftuan autoritetet.
Kompania shtetërore e energjisë “Ukrenergo” njoftoi për ndërprerje të planifikuara disaorëshe në disa rajone, pasi Rusia ka goditur objektet e energjisë dhe ngrohjes në prag të dimrit.
“Aktualisht, në shumicën e rajoneve, ekipet e riparimit, furnizuesit e energjisë dhe shërbimet komunale po punojnë pa ndërprerje, të gjithë janë të angazhuar”, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky në një video-mesazh dje në mbrëmje.
“Riparimet janë në proces dhe, megjithëse situata mbetet e vështirë, mijëra njerëz po punojnë për të stabilizuar sistemin dhe për të riparuar dëmet”, shtoi ai.
Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit, metroja rifilloi punën sot në mëngjes pas një ndalese dyditore për shkak të mungesës së energjisë.
Forcat ruse lëshuan qindra dronë dhe dhjetëra raketa mbrëmjen e së shtunës, duke goditur jo vetëm termocentralet, por edhe nënstacionet, linjat e transmetimit dhe pjesë të tjera të rrjetit elektrik.
Rajonet Kharkiv dhe Poltava, në lindje të vendit, u goditën më rëndë gjatë fundjavës.
Zyrtarët ukrainas thonë se Moska synon të destabilizojë më tej vendin, duke e zhytur lindjen e Ukrainës në errësirë dhe të ftohtë, për të bërë që jeta e civilëve të bëhet e padurueshme dhe të shkaktojë një valë të re zhvendosjesh masive.
Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan për sulme të reja me dronë gjatë natës, ndërsa Kievi tha se Rusia ka përdorur edhe raketa hipersonike “Kinzhal”./ /Ad.Ab./