E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË - Rusia sulmon Kievin, 280 familje pa energji elektrike dhe ujë - ATSH -

KIEV, 31 tetor /ATSH-Ukrinfrom/- Rusia ka goditur me dronë një objekt të rëndësishëm të infrastrukturës energjetike në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë në disa zona të qytetit.

Sulmi ndodhi dje në mbrëmje, ndërsa kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se tre dronë goditën të njëjtin objekt të infrastrukturës kritike.

Sipas kompanisë ukrainase të energjisë DTEK, sulmi shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të katër distrikteve të kryeqytetit: Obolonskyi, Darnytskyi, Desnianskyi dhe Podilskyi.

Goditjet dëmtuan gjithashtu furnizimin me energji të objekteve që mbështesin sistemin e shpërndarjes së ujit. Si pasojë, disa lagje mbetën pa ujë, ndërsa në zona të tjera presioni i furnizimit u ul ndjeshëm.

Autoritetet dhe ekipet e emergjencës nisën punën për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e shërbimeve.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se sulmet ruse gjatë natës kishin goditur edhe objektiva energjetike në rajonet e Kievit dhe Dnipropetrovskut, duke lënë rreth 280 mijë familje pa energji elektrike.

Zelensky akuzoi Moskën se po synon qëllimisht infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës, në një kohë kur vendi po përgatitet për muajt e dimrit.

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike janë intensifikuar ndërsa Ukraina përballet me nevojën për të garantuar furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje gjatë sezonit të ftohtë. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›