E Martë, 3 Nëntor 2026

UKRAINË – Zelensky: Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës, pa lëshime territoriale

KIEV, 7 gusht /ATSH/ – Ndërsa po përgatitet një takim kokë më kokë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin “në ditët në vijim”, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përpiqet të sigurojë që Ukraina të mos lihet jashtë zhvillimeve diplomatike, sipas “CBS News”.

Gjatë një vizite të të dërguarit amerikan Steve Witkoff  dje në Moskë , Uashingtoni propozoi një takim trepalësh mes Trump, Zelensky dhe Putin, ku Trump do të shërbente si ndërmjetës.

Por Moska e ka refuzuar këtë mundësi, duke preferuar një takim dypalësh me Trump, që do të ishte një fitore simbolike për Rusinë dhe takimi i parë i këtij lloji që nga nisja e luftës.

Presidenti Zelensky u shpreh në Telegram se kishte folur me kancelarin gjerman Friedrich Merz për një “paqe me dinjitet” – që do të garantonte sigurinë e Evropës për dekada.

“Ukraina nuk i druhet takimeve dhe pret të njëjtin guxim nga pala ruse. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës”,  shkroi ai në Telegram – një frazë që është përdorur shpesh edhe nga vetë Trump.

Putini ka shprehur më herët gatishmërinë për një takim me Zelensky, por vetëm në “fazën përfundimtare” të negociatave, kur kushtet për paqe të jenë të qarta dhe të paravendosura.

Kievi, aktualisht, refuzon të bëjë lëshime territoriale dhe nuk pranon as të fillojë diskutime për dorëzimin e Krimesë, që është një kërkesë kyçe për Rusinë.

Ndërkohë, gjashtë muajt e fundit janë shoqëruar me intensifikim të sulmeve me dronë dhe raketa nga të dyja palët – duke e bërë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

Ukraina mbetet e varur nga ndihma perëndimore, pavarësisht lodhjes së publikut në SHBA dhe Evropë ndaj luftës. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›