E Diel, 1 Nëntor 2026

UKT: Defekt i rëndë në linjën kryesore, disa zona të Tiranës pa ujë

Një defekt i rëndë në një prej linjave kryesore të transmetimit ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në disa zona të Tiranës.

Sipas Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT), problemi është konstatuar në linjën DN 1100 mm prej çeliku, e cila furnizon depot perëndimore të kryeqytetit.

Për shkak të defektit, pa ujë do të mbeten përkohësisht banorët e Selitës, Kodrës së Diellit, Astirit, Yzberishtit, Pallateve Çabej, Kodër Kamzës dhe Fushës Misto Mame.

UKT bën me dije se ekipet e saj ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit. Ndërmarrja nuk ka përcaktuar ende një afat për përfundimin e punimeve dhe rikthimin e furnizimit.

Banorëve të zonave të prekura u kërkohet të marrin masa për këtë ndërprerje, ndërsa furnizimi pritet të rikthehet pas përfundimit të ndërhyrjes në linjën e dëmtuar.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›