UNMIK nuk mund të përzihet në Veri

Kryeministri, të mërkurën në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ka thënë se ajo është një pengesë krejt e panevojshme e disa njerëzve të UNMIK-ut që gjenden atje dhe që pretendojnë për të penguar ndërtimin e shtëpive e qytetarëve në pronat e tyre.
“Dëshiroj të theksoj se Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm ndërtimin e shtëpive në pronat e tyre për qytetarët në veri, pa dallime etnike. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve aty që mos të ketë asnjë pengesë prej kudo qoftë dhe natyrisht se UNMIK-ut nuk ka të drejt as morale, legale, as legjitime të pengoj apo të pretendoj të pengoj ndërtimin e shtëpive dhe rikthimin e qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre”, ka theksuar Thaçi.
Për më tepër, ai ka shtuar se do të diskutoj këtë çështje edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi që Policia e Kosovës të jetë afër qytetarëve aty dhe që të siguroj kushtet e sigurta për vazhdimin e punimeve dhe zgjerimin e punimeve në hapësirat e tjera ku janë pronarë qytetarët.
Gjithashtu ai ka thënë se për këtë gjë do të flas edhe me Shefin e UNMIK-ut, pas kthimit të tij nga Beogradi, ndërkohë ka shtuar se Qeveria e Kosovës do të përgjigjet në mënyrë të duhur për këtë çështje.
“Unë do të diskutoj edhe me përfaqësuesin e UNMIK-ut kur do të kthehet nga Beogradi dhe mendoj se qëndrimi i tij në Beograd dhe pretendimi i tij për të ndaluar ndërtimin e shtëpive është komplet i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm dhe do të merr përgjigjen e duhur nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës do të mbështet politikisht, financiarisht dhe me gjitha mjetet për rikthimin e qytetarëve në gjitha shtëpitë dhe pronat e tyre dhe ndërtimin e shtëpive të reja”, ka theksuar ai.
Ndërkohë në mbledhjen e kabinetit qeveritar është miratuar projekt-strategjia Kundër Korrupsionit dhe Planit të Veprimti për vitin 2013-2017.
Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka thënë se projekt-strategjia mbulon një periudhë 5 vjeçare dhe parashikon objektivat masat dhe detyrat që duhet të kryhen brenda këtij afati në planin afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë.
“Qëllimi i përgjithshëm i kësaj projekt-strategjie është që forcohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni që të kontribuon në reduktimin progresiv dhe qëndrueshëm të dukurive negative në forcimin e integritetit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e qeverisje publike dhe për të promovuar parimin e tolerancës zero për zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe për të ndihmuar sundimin dhe rendin e ligjit në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Kuçi.
Edhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku ka mirëpritur miratimin e kësaj projekt-strategjie, duke thënë se është njëri nga kriteret e Kosovës për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
“Miratimi i strategjisë kundër korrupsionit dhe plani të veprimit 2013-2017 është edhe njëri nga kriteret afatshkurtra që Kosova duhet të përmbush që të filloj negocimi i Marrëveshjes Stabilizim Asocimit. Me miratimin në Qeveri ne po e bëjmë hapin e parë sepse kjo detyrë do të konsiderohet e përmbushur në plotëni vetëm pasi të kaloj në dy leximet në parlamentin e Kosovës”, ka thënë ajo.
Më pas është miratuar edhe Projekt-rregullorja e Punës së Komisionit Qeveritar për të drejtat e ish të burgosurve, të ish të dënuarve e të ish përndjekurve politikë.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se është arritur pajtim që për këtë kategori të bëhet sa më shumë, duke filluar me implementimin e ligjit për ish të burgosurit, ish të dënuarit dhe përndjekurit politik.
Ai ka thënë se kësaj kategorie duhet t’i takoj sigurimi pensional dhe invalidor dhe privilegje të tjera.
“Ata të sigurojnë të drejtat nga sigurimi pensional dhe invalidor, të drejtën e kompensimin e dënimit të shkaktuar si pasoj e dënimit, e dënimit ose persekutimit të anëtarëve të familjes së ngushtë. Do t’i përgatisim të gjitha aktet nënligjore që në vitin 2013 të fillojmë me procedim”, ka theksuar Kuçi.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është marr vendim që data 28 nëntori të shpallet ditë e pushimit, ndërsa ditët e tjera të punohet, kjo vlen për të gjithë shërbyesit civil, mësimdhënësit dhe kategoritë e tjera.
Gjithashtu, sot është miratuar Projekt-rregullorja për Metodologjinë e Hartimit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë dhe Propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 09/91 të datës 12 shtator 2012.