E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK-u të bëjë gati valixhet

Sejdiu: Nuk mund të ketë dy misione ndërkombëtare në Kosovë

Prishtina zyrtare hodhi dje poshtë propozimin e ministrit të Jashtëm suedez, Karl Bilt, që UNMIK-u të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë edhe pas rikonfigurimit të misionit. Bilt propozoi që UNMIK-u të vazhdojë të mbetet në vendbanimet serbe edhe pas përfundimit të procesit të rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Por propozimi u refuzua nga zyrtarët më të lartë të vendit, të cilët thanë se një gjë e tillë do të çonte në ndarjen e zonave të përgjegjësisë për dy misionet ndërkombëtare, EULEX në pjesën më të madhe të Kosovës, dhe UNMIK-u për zonat me shumicë serbe. “Në Kosovë nuk mund të ketë dy misione të ndara të mbikëqyrjes për një etni”, tha presidenti Fatmir Sejdiu, duke shtuar se propozimet që mund të nxisin edhe temën e ndarjes së Kosovës janë krejtësisht të papranueshme për institucionet e vendit. Komentet e tij pasuan propozimin e ministrit të Jashtëm suedez, Karl Bild, që UNMIK-u të vazhdojë të mbetet në vendbanimet serbe edhe pas përfundimit të procesit të rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. “Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë dhe nuk dua të komentoj qëndrime që janë jashtë asaj pjese të qëndrimeve të përbashkëta ndërkombëtare. Unë kam qenë në Këshillin e Sigurimit dhe debati është bërë si është bërë, ku dihet natyra e këtij procesi të paraparë edhe me vetë raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me letrën që na e ka dërguar, dhe presim që ky proces të përfundojë shumë shpejtë dhe ashtu siç është parashikuar, në tetor të barten kompetencat në EULEX-it”, pohoi Sejdiu. Sipas kreut të shtetit në Kosovë, nuk mund të ketë dy misione ndërkombëtare të ndara. “Në Kosovë nuk mund të ketë apo misione privilegjesh, të kontrollit apo të mbikëqyrjes për njërën etni, ose për etninë tjetër dhe në natyrën më të keqe të inicimit të temave të ndarjes së Kosovës, apo pjesës së izoluar nga tërësia. Ne i kemi kundërshtuar në vazhdimësi nëse kanë ardhur nga qarqe të caktuara, por jo zyrtarisht. Prandaj, për ne janë totalisht të papranueshme ide të tilla”, - tha Sejdiu. Procesi i rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë është parashikuar të përfundojë deri të tetor. Autoritetet kosovare presin që përgjegjësitë e UNMIK-u të kalojnë deri në atë kohë tek misionin i EULEX-it. Por sipas parashikimeve, ky proces mund të hasë në vështirësi, për shkak të mbetjes në fuqi të rezolutës 1244, mbi bazën e së cilës UNMIK-u vepron në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›