E Shtunë, 31 Tetor 2026

Striptistja 80-vjeçare

Prej 50 vjetësh Tempest Storm performon në Las Vegas

50 vjet më parë njihej për dekoltenë e saj më të bukur në Hollivud dhe për kërcimet e mrekullueshme. Sot, në moshën 80 vjeçare, “Tempest Storm” (pseudonimi “Stuhia e shtrëngatës”) vazhdon aktivitetin e saj si striptiste parodiste. “Nuk ka ardhur ende momenti për të varur tangat në gozhdë. Shumë prej fansave do të zhgënjeheshin”, - thotë aktorja, e cila aktualisht jep shfaqje në Las Vegas, “Palm Springs”, Miami dhe në hollin “Carnegie” të Nju Jorkut. 50 vjet më parë, bashkë me Dixie Evans dhe Betty Page, ajo solli suksesin e zhanrit “burlesque”, parodisë teatrale, që shpesh shoqërohet me skeçe apo striptizë. “Skena më ka shpëtuar”, - shprehet Tempest, e cila pranon se ka pasur një jetë të vështirë. Vajza e një bujku nga Xhorxhia, ajo ka qenë viktimë e dhunës seksuale. Në moshën 22-vjeçare kishte mbi shpatulla dy martesa të dështuara. Më pas u takua me koreografin e teatrit “Follies” të Los Anxhelosit, Lillian Hunt, të cilit i pëlqyen shumë përmasat e saj trupore. “E pyeta se mos e kam gjoksin shumë të madh? M’u përgjigj: “Mos u shëndosh dhe po shkoj të marr një dentist”, -rrëfen Tempest. Në një fotografi me të riun Elvis Presli, ajo pret miqtë në apartamentin e saj në Las Vegas. Mbreti i “Rock’n’roll”-it ka qenë i dashuri i saj për një vit, por menaxheri i tij nuk e aprovonte lidhjen e tij me striptisten. Por lista e flirteve të saj është tepër e gjatë, gati të gjithë emra të mëdhenj të Hollivudit, si Frenk Sinatra, Dean Martin, Nat King Cole etj. Disa prej tyre kanë qenë të dashur për një natë, ndërsa disa të tjerë vetëm klientë për një zhveshje. Aktrimi i saj përfshin 4 lëvizje për të hequr rrobat. “Bëj katër lëvizje dhe spektakli im zgjat 7 minuta, por prodhuesit e rinj duan të shtrëngojnë kohën. Një herë m’i fikën dritat dhe muzikën përpara se të mbaronte shfaqja”, - thotë ajo e nervozuar. Më pas rregullon fustanin e kuq zjarr, vesh takat dhe del në skenë. Publiku duartroket dhe spektakli vazhdon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›