E Shtunë, 31 Tetor 2026

URIMI I PRESIDENTIT TOPI ME RASTIN E VITIT TË RI 2009.

31 dhjetor 2008

Të dashur bashkëkombas,
Të dashur qytetarë të Shqipërisë,

Në këtë mbrëmje të veçantë për mbarë botën, kam privilegjin e madh të komunikoj me ju, të bëhem pjesë e festës suaj, të ndaj me ju kujtimet e vitit që po lemë pas dhe të shkëmbejmë së bashku dëshirat e bukura për Vitin e Ri që po troket në jetën tonë.

Vitet lenë pas natyrshëm njëri-tjetrin, me dëshirën që viti që vjen të jetë më i bukur se ai që largohet. Të gjithë ne bëhemi pjesë e kësaj tradite njerëzore dhe shpirtërore.

Këtë mbrëmje të fundit të një viti që mbaron, shumë të rëndësishëm për vendin tonë, shpreh mirënjohje për besimin që keni pasur e mbështetjen që më keni dhënë dhe pohoj detyrimin e premtimin për të qenë gjithmonë e më shumë pranë jush.

Gjatë vitit 2008 përjetuam së bashku emocionet dhe gëzimet e dy ngjarjeve të mëdha historike për kombin tonë: Pavarësinë e Kosovës dhe ftesën për anëtarsimin e Shqipërisë në NATO. Të gjithë shqiptarët ndjenë gjatë vitit që kaloi më shumë krenari. Ata e ndjenë veten më afër me njëri-tjetrin, por sidomos më afër demokracisë dhe demokracive perëndimore. Krahas respektit, të gjithë ne, ndamë me partnerët tanë më shumë përgjegjësi për paqen, sigurinë dhe për të ardhmen e njerëzimit.

Duke u bërë pjesë e shqetësimit dhe dhimbjes qytetare, uroj që ngjarje tragjike si ajo e Gërdecit e fatkeqësi të tjera njerëzore, apo natyrore dhe fenomene negative të mbeten vetëm kujtime dhe mësime të një viti që po largohet!

Viti 2009, të dashur bashkatdhetarë, është viti i sfidave të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Anëtarësimi me të drejta të plota në NATO është momenti historik, që duhet vlerësuar me përgjegjësi dhe realizëm. Kjo fitore ju takon juve, kontributit tuaj në vite, mundit dhe djersës së të gjithë shqiptarëve, përpjekjeve të të gjithë atyre që nuk u bënë asnjëherë pjesë e diktaturës dhe instrumentave të saj, por pjesë e vizionit perëndimor dhe dëshirës për të jetuar të lirë. Bëj thirrje sot për më shumë përkushtim politik në shërbim të kësaj dite të qytetarisë!

Që viti 2009 të quhet viti i shqiptarëve, të gjithë së bashku të përdorim energjitë tona për t’u shkëputur nga tranzicioni i lodhshëm nëpërmjet shenjtërimit të institucionit të votës së lirë. Vota e lirë dhe zgjedhjet e pakontestuara janë themelet dhe parimet e botës së qytetëruar, të cilës të gjithë ju dëshironi t’i bëheni pjesë e pandarë! Zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen duhet të përgatiten për t’u festuar e jo për t’u ndeshur! Askush nuk ka të drejtë të prishë këtë festë tuajën, këtë festë të demokracisë dhe të lirisë!

Viti 2009 duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve që rruga drejt Bashkimit Evropian është gjithashtu rruga e një shoqërie dhe ekonomie të hapur e të integruar! Politikat tona ekonomike, fiskale e sociale duhet natyrshëm t’u shërbejnë qytetarëve tanë për të lehtësuar pasojat e mundshme të krizës ekonomike ndërkombëtare të këtij viti, sado të vogla qofshin ato!

Për një Vit të Ri të bukur për Shqipërinë e shqiptarët, të dashur, të begatë, të rëndësishëm, të suksesshëm, realizim të ëndrrave dhe dëshirave, simbol të vlerave dhe të lirisë, vjen urimi im në këtë ndërrim vitesh!

Respekti i thellë për të dashurit tanë, të cilët do të na mungojnë në festat tona, për dashurinë, fjalët, zërin dhe praninë e tyre të pazëvendësueshme bëhen pjesë e kujtimeve tona të pashlyeshme në këto çaste të jetës sonë.

Dëshiroj që urimi im për vitin që vjen të sjellë ngushëllim, gëzim, shpresë e lehtësim për të gjithë ata që ndihen viktima të varfërisë, të mungesës së familjes e kujdesit, të pabarazisë shoqërore apo të padrejtësisë e dhunës sociale, për të gjithë ata të pamundur në spitale apo në klinika larg familjeve të tyre!

Në këtë festë të dashur familjare, urimi im bëhet pjesë e padurimit të fëmijëve, dëshirave të të rinjve, përkujdesit të prindërve dhe përkushtimit të gjysheve dhe gjyshëve, që bashkimi i akrepave të orës t’u dhurojë më shumë dashuri e respekt për nënat e fëmijët, për familjen, shkollën e shoqërinë!

Kam dëshirë të bëhen pjesë e urimit tim, së bashku me mirënjohjen dhe vlerësimin e veçantë, të gjithë shqiptarët që për shumë arsye sot ndodhen larg nesh apo të dashurve të tyre:

Emigrantët tanë, kudo ku ata ndodhen si pjesë e pandarë e kombit tonë dhe vlerave të tij;

Ushatakët shqiptarë në operacione paqeruajtëse, në mbrojtje të paqes e vlerave universale të demokracisë;

Të gjitha ata që në këto çaste të veçanta, lirinë dhe festën e tyre e venë në shërbim të ndriçimit dhe të gëzimit të kësaj nate!

Në këto çaste të rëndësishme, dëshiroj të ndaj me ju shpresën dhe besimin e përbashkët për të ndërtuar një Shqipëri të denjë, një atdhe që mirëpret dhe është mirënjohës ndaj kontributit të fëmijëve të tij, që jetojnë e punojnë jashtë, një vend që synon zhvillimin dhe mirëqënien, një shtet ku shtetarët janë në shërbim të shtetasve e jetesës së tyre, një shoqëri ku virtyti dhe vlera janë themele të palëkundura, një familje të shëndoshë nga dashuria dhe respekti, një individ të lirë dhe të drejtë, një komb të barabartë mes të barabartëve!

Urimi im shkon për të shumuar dhe mbështetur aspiratën e vendosmërinë e të gjithë atyre që punojnë për një botë më paqësore dhe më solidare, për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë!

Gëzuar!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë populli shqiptar!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›