Uashington – Spiropali takime në Kongresin dhe Senatin Amerikan: Rritje e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka vijuar me vizitën e saj në Uashington me disa takime në Kongresin Amerikan, që patën në fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA.
Spiropali u prit nga Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, veterani i ushtrisë amerikane Brian Mast, i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA–Shqipëri.
Gjatë këtij takimi u theksua bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Spiropali u takua edhe me Kongresmenin Jimmy Patronis për potencialin e bashkëpunimit ndërsektorial në fusha si rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.
Spiropali dhe Patronis u ndalën në rëndësinë që ka për sigurinë dhe mobilitetin ushtarak të NATO-s, ndërlidhja infrastrukturore përmes projektit strategjik të Korridorit të VIII-të.
“Kënaqësi të shkëmbej ide me kongresmenin Jimmy Patronis se si bashkëpunimi më i ngushtë mund të zhbllokojë mundësi të reja midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Diskutuam potencialin e fortë për bashkëpunim ndërsektorial, veçanërisht në zgjerimin e investimeve amerikane në Shqipëri, me energjinë dhe infrastrukturën në zemër të këtij vizioni të përbashkët. Ne gjithashtu nënvizuam se sa jetike është lidhja e infrastrukturës për sigurinë dhe lëvizshmërinë ushtarake të NATO-s, me theks të veçantë në projektin strategjik të Korridorit VIII, së bashku me korridoret e tjera kyçe të energjisë dhe sigurisë që kontribuojnë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”, shkruan Spiropali.
Ministrja e Jashtme u prit edhe nga Kongresmenët Ritchie Torres, Bashkëkryetar i “Albanian Caucus”, mbështetës aktiv i komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe nga Anëtari i Lartë të Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punët e Jashtme, William R. Keating, dhe Kongresmeni Keith Self.
Më tej, Ministrja Spiropali do të pritet në Senatin Amerikan nga Senatorët Steve Daines, Gary Peters dhe Elissa Slotkin, ku do të riafirmohet roli i Shqipërisë si partner i ngushtë i shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita zyrtare e Spiropalit do të vijojë me takimet e zyrtarëve të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me drejtuesit e “The Heritage Foundation”.
/rtsh.al/