E Enjte, 5 Nëntor 2026

Udhëheqësi palestinez dhe kreu i inteligjencës së Egjiptit diskutojnë për armëpushimin

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas dhe shefi i inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel, zhvilluan bisedime të dielën rreth zhvillimeve të fundit lidhur me armëpushimin gjithëpërfshirës të arritur me Izraelin.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu rindërtimin e Rripit të Gazës gjatë takimit të tyre në selinë presidenciale në Ramallah, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA.

Ata folën gjithashtu edhe për pajtimin brenda-palestinez dhe procesin politik, i cili është çelësi i stabilitetit dhe paqes në rajon.

Theksohet se Abbas përshëndeti rolin dhe përpjekjet e Egjiptit si dhe mbështetjen e vendit për popullin e Palestinës dhe “kauzën e saj të drejtë”.

Kamel i përcolli mesazhin e Presidentit Egjiptian Abdel Fattah al-Sisi se “Egjipti do të vazhdojë të punojë dhe koordinojë me Autoritetin Palestinez të gjitha hapat dhe iniciativat e ndërmarra”.

Në takimi i pranishëm gjithashtu ishte ministri palestinez i Çështjeve Civile, Husein Al-Sheik, kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm për Çështjet Civile dhe kreu i Shërbimit të Përgjithshëm të Inteligjencës, Gjeneral Major Majed Faraj.

Më parë, Kamel u takua me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Kudsin Perëndimor për të diskutuar armëpushimin e përhershëm pas sulmeve të fundit të Izraelit në Gaza, rindërtimin e Rripit të Gazës dhe çështjen e të burgosurve izraelitë që mbahen nga Hamas-i.

Vizita e Kamel përkon me vizitën e ministrit të Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi, në Kajro për bisedime me homologun e tij egjiptian, Sameh Shoukry./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›