E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhërrëfyesi për Kosovën, deri në fund të vitit

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, e ka siguruar kryeministrin Hashim Thaçi se Kosova, deri në fund të vitit, do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se në Bruksel është biseduar për angazhimin e institucioneve të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, për liberalizimin e vizave, si dhe për marrëveshje tregtare në mes të BE-së dhe Kosovës.

Kryeministri Thaçi njoftoi Fule edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e tij për arritjen edhe të një vote shtesë të nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar.

"Kosova është në pritje të rekomandimeve të BE-së për pyetësorin për marrëdhëniet tregtare. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", theksoi kryeministri Thaçi.

"Kosova ka ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët, me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira fqinjësore si dy shtete të pavarura edhe me Serbinë, në shërbim të bashkëpunimit rajonal", shtoi ai.

Në takim me komisionarin e BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të mirë me EULEX-in dhe Komisionin Europian, sidomos në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

"Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i përmbushin të gjitha detyrat që dalin nga procesi i integrimit në BE, me një dinamikë më të përshpejtuar, që garanton suksesin tonë të gjithëmbarshëm", është shprehur kryeministri Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›