E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtimi i një vapori nëpër të thatë

1.

"Një vizion më ka zënë, sikur çmenduria e një zagari që ka ngjitur dhëmbët në kofshën e cofëtinës së një dreri e që tund dhe tërheq shtazën e vrarë me aq vrull sa që gjuetari heq dorë nga përpjekja për ta qetësuar. Ishte vizioni i një vapori të madh që do t‘i ngjitej një kodre me avullin vetjak, duke ia dalë një përpjete të rrëpirët në xhungël, ndërsa mbi këtë peizazh natyre, që shkatërron të dobëtin e të fortin me mizori të njëjtë, ngrihet zëri i Carusos, duke heshtur tërë dhimbjen e zërat e pyllit të lashtë dhe përmbytur tërë këngën e zogjve".

E kam të vështirë ta identifikoj autorin e citatit, por megjithatë lidhet me një ngjarje, së cilës i kthehemi pas tridhjetë vjetësh. Ngjarja ishte incizimi i filmit "Fitzcarraldo", një film lehtësisht i bazuar në të vërtetën, mbi aventurën e një baroni të gomës në xhunglën e Amazonit, që vendos, në fillim të shekullit XX, se do ta sjellë operën në qytetin Iquitos, duke e transportuar, të çmontuar në një vapor, që për të arritur në qytet, e në mungesë kanalesh lidhëse, duhet kalojë prej një lumi në tjetrin nëpër të thatë, duke u ngjitur kodrave të xhunglës.

I filluar para tridhjetë vjetësh, më 1979, filmi u prezantua në Festivalin e Cannes-it më 1982 dhe për të Werner Herzog mori "Palmën e Artë: si regjisori më i mirë.

Kur e pashë filmin për herë të parë, ndjeja se dikush kishte pasur vizionin e çmendurisë së zagarit, por nuk më ishte e qartë se kush. Fitzcarraldo, i cili kombinon ftohtësinë e kalkulimit matematikor të përpjesëtimit të fuqisë së nevojshme për të kaluar vaporin prej një bregu të një lumi te bregu i lumit tjetër, matanë kodrës së lartë, me përjetimin e brendshëm të zërit të Enrico Carusos, që duhet të ngrihet mbi xhunglën? Klaus Kinski, i cili, siç do të merret vesh në librin e Herzogut, "Pushtimi i të kotës" ("HarperCollins", New York, 2009) ka shprehje të njëjtë gjatë xhirimit si dhe në mbrëmje kur e përgjak me rrahje gruan e tij vietnameze, aq sa organizatorët duhet të pastrojnë muret çdo mëngjes? Apo Werner Herzog, i cili iu fut kësaj aventure me përjetime të ndryshme: mungesë paraje, sulmesh të fiseve indiane, fjetje në dysheme të bareve të pista, të ushqyerit me mish të pjekur majmuni, "që duket si të hash një foshnjë", dhe ndryshimit të përhershëm të planeve të xhirimit prej momentit kur nga filmi largohen aktori amerikan, Jason Robards, dhe ylli i rokut, Mick Jagger, që e detyron regjisorin ta ftojë Kinskin?

2.

Aventura e Fitzcarraldos kishte filluar dikund në të vërtetën e fundit të shekullit XIX. Atëbotë, një baron i vërtetë i gomës, Carlos Fermin Fitzgerald, kishte kaluar vaporin prej një bregu në tjetrin, në të thatë, por duke e çmontuar paraprakisht. Herzog ndërtoi mbi këtë fakt, Fitzcarraldon e tij, Brian Sweeney Fitzcarraldo, dhe ëndrrën e sjelljes së operës. Për më tepër, e ngriti punën e vaporit në një metaforë. Vapori i filmit do të ishte 320 tonësh, krahasuar me 30 tonëshin e vërtetë, dhe do të bartej i tëri, e jo copë-copë, si ai i të së vërtetës.

Por, çka është e vërteta? Që në fillim të xhirimit, regjisori takohet me producentët e Hollywood-it, të cilët i sugjeruan që vapori të jetë një maket prej plastike që do të xhirohej pastaj në një kopsht botanik andej pari, apo në Florida. Regjisori refuzoi.

Refuzoi gjithashtu versionin e "vërtetë" , të të çmontuarit të vaporit. Dhe urdhëroi ndërtimin e një vapori (në fakt dy, për nevoja incizimi nga bregu tjetër), duke e shndërruar vetë xhirimin e filmit në një aventurë, të xhiruar në film. Dhe duke treguar me të se si ndërtohen me pasione të vërtetat e reja.

3.

Pasioni i Herzogut, Kinskit, Fitzcarraldos, më duken botë e kohë tjetër, milenium i kaluar, ndërsa një mik i imi më tregon rrëfimin e lojës së shahut me kompjuter, nëpërmjet internetit. I pasionuar pas shahut, duke jetuar si emigrant në New York, kishte pasur gjithnjë e më pak mundësi që të gjejë partnerë për të lozur, në kohën kur ky kishte mundësi. Kur mori kompjuterin e parë dhe lidhjen e internetit, zbuloi se kishte lojë shahu në të dhe mundësi të lozuri pa limit, kur të kishte qejf e mundësi.

Dhe filloi, duke iu përkushtuar lojës, me komoditetin e mungesës së kontaktit personal, hidhërimit, fjalëve që do të mund ta nervozonin dhe, po të donte, ndërprerjes së lojës pa ndonjë konsekuencë emocionale. Vazhdoi me vite të tëra, duke u transferuar prej një web faqe në tjetrën, çdo herë më të avancuar, çdo herë më të përafërt me lojën e vërtetë, por gjithnjë duke ruajtur komoditetin e anonimitetit, të mungesë së investimit emocional në lojë.

Deri sa një ditë, pas disa humbjesh, nuk e aktivizoi një program kompjuterik të cilin ia kishte dhënë një kushëri i tij në Prishtinë, me të cilin do të bllokonte nja dy lëvizje të kundërshtarit me gjithë orën, ky do t‘i bënte nja dy lëvizje të vetat, dhe kështu të krijonte avantazhin e fitores. Dhe, duke sjellë kështu pasion në botën virtuale të lojës së shahut, apo versionin e tij të "pushtimit të së kotës".

4.

Sa e kotë është e kota e pushtuar?

Për njërin prej alpinistëve më të famshëm, George Mallory, prijës i ekspeditës së parë për në Mount Everest, e kota merr formën e tri fjalëve. Kur e pyetën se përse do ta pushtojë atë majë, u përgjigj me fjalët që pastaj do të përsëriten me mija herë, "sepse është aty".

Te Herzogu, është një udhëtim nëpër absurd, si në formë shprehje artistike, ashtu edhe në përjetim gjatë xhirimit, me përshkrim të vetë udhëtimit si cak, një shpërthim kreativ vizionesh. Udhëtimi, sado absurd, është në fakt metafora e caqeve, vizioneve, ëndrrave tona për të përmbushur.

Për mikun tim shahist është vendosja e një vule emocionale në interaksionin e ftohtë kompjuterik.

Por te të tre, në fund, është sfida vetjake, dhe përgjigjja ndaj sfidës si përjetim, theksi mbi fjalën "pushtim", gjegjësisht akti i mbërritjes vetjake, anipse në dukje të parë i kotë.

Mendoj, lehtësisht, dhe me distancën gjeografike e emocionale nga New Yorku, nëse ka ndonjë analogji me diçka krejtësisht të një natyre tjetër, diçka rudimentare si fushata zgjedhore vendore që po zhvillohet në Kosovë.

Analogjitë janë, është e kuptueshme për shkak të dallimit të çështjeve shumë të largëta. Për më tepër, në kategorinë e "të kotës" janë vendosur në masë të madhe idealet, vizionet e bindjet. Për një pjesë të garuesve, të identifikuar në masë të madhe me partinë më të madhe në pushtet, sfida është gjithnjë e më pak Fitzcarraldo e gjithnjë e më shumë programi kompjuterik i mikut tim me të cilin mund të fitosh lojën. Për dallim prej mikut tim, kjo fitore nuk është "e kotë", por e prekshme, imediate, materiale, e matshme me rritjen dinamike të standardit personal të jetesës. Atje, në kategorinë e të së kotës, sipas tyre, duhet të mbeten të gjitha të tjerat, përfshirë edhe projekti i madh, kolektiv i shtetndërtimit, i cili duhet t‘i përkasë kohës së udhëtimit të vaporit nëpër të thatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›