E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roskoveci, në shesh për vrasjen e Xhindit

Vrasja e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, do të jetë një motiv më shumë për daljen në protesta. Kështu kanë deklaruar banorë të qytezës së Roskovecit, ku lindi, u rrit dhe u ekzekutua në moshën 49-vjeçare Fatmir Xhindi. Edhe krerë të Partisë Socialiste të Fierit kanë pohuar të njëjtin fakt, atë të nisjes së protestave lokale, gjatë të cilave do të kërkohet zbardhja e vrasjes së deputetit.
Xhevit Bushi, sekretar organizativ i Partisë Socialiste në Fier, ka pohuar për "Shqip" se dega lokale e PS-së do të mbështesë protestat e banorëve të Roskovecit, si dhe të të gjithë rajonit të Fierit.
Protesta e parë me kërkesë të vetme zbardhjen e vrasjes së Fatmir Xhindit dhe gjetjen e autorëve të saj është lënë për t‘u zhvilluar paraditen e sotme.
Nga banorët e Roskovecit mësohet se sot në orën 10:00 të paradites, dhjetëra banorë, mes të cilëve dhe shumë familjarë të Fatmir Xhindit, do të protestojnë në sheshin qendror të qytezës që ndodhet rreth 11 kilometra larg nga Fieri.
Protesta është organizuar nga komuniteti i Roskovecit, përfaqësues të të cilit shprehen se janë zhgënjyer nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe nga përfaqësia e tyre në Parlament, e për pasojë kanë kujtuar përfaqësimin e 12 viteve të fundit të tyre, që bëhej pikërisht nga Fatmir Xhindi.
Familjarët e kanë mirëpritur reagimin e bashkëqytetarëve të tyre dhe janë treguar të gatshëm të marrin pjesë në protestë. Po ashtu, edhe dega lokale e PS-së e ka mbështetur vendimin e komunitetit të Roskovecit. Mësohet se pas të dielës, protesta për zbardhjen e vrasjes së deputetit do të zhvillohen edhe në Fier, Patos, Lushnjë dhe është menduar edhe në Tiranë. Për rreth pesë muaj, familjarët e deputetit të vrarë kanë këmbëngulur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje që tronditi mbarë opinionin publik në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Madje, familjarët u kanë bërë apel edhe autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar që ta zbardhin sa më shpejt këtë krim.
Ndërkohë, për zbardhjen e vrasjes së mbrëmjes së 2 majit 2009, policia dhe prokuroria ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare për motivet apo autorët e dyshuar. Deklarimet e vetme që ka bërë policia lidhen me pistat e hetimit, të cilat janë rrëzuar me radhë për mungesë provash. Pista më e fundit ku është përqendruar policia ka qenë ajo për një çështje banale, e cila pas tre ditë hetimesh rezultoi pistë e kotë.
Familjarët, ashtu si dhe në momentet e para të pasvrasjes, edhe sot deklarojnë se Fatmir Xhindi është ekzekutuar për motive politike.
Deputeti i Fierit, Fatmir Xhindi, u qëllua me kallashnikov mbrëmjen e 2 majit të këtij viti, në derën e banesës së tij. Deputeti 49-vjeçar, i cili përfaqësoi për 12 vjet në Parlament zonën e Roskovecit, vdiq gjatë transportit për në spitalin rajonal të Fierit, ndërkohë që vrasja e tij është konsideruar si vrasje mafioze, pasi në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur prova.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›