Udhëtimi i parë pas luftës/ Presidenti Zelensky do të niset sot drejt SHBA, axhenda e takimeve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka planifikuar të vizitojë këtë të mërkurë Uashingtonin dhe të takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Sipas BBC, presidenti Zelensky mund t’i drejtohet gjithashtu Kongresit, por ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me vizitën dhe axhendën.
Ky do të ishte udhëtimi i parë i Presidentit ukrainas jashtë vendit të tij që nga nisja e luftës ruse më 24 shkurt. Në një letër të martën, kryetarja e Dhomës Demokratike Nancy Pelosi u kërkoi anëtarëve të Kongresit që të jenë të pranishëm të mërkurën mbrëma.
“Ju lutemi të jeni të pranishëm për një fokus shumë të veçantë te demokracia”, ka shkruar ajo, por pa dhënë detaje të tjera.
Një vizitë e paparalajmëruar e Zelenskyt në një vend të huaj, do të konsolidonte rëndësinë e marrëdhënieve të Ukrainës me SHBA-në, e cila ka luajtur një rol udhëheqës në ofrimin e mbështetjes ushtarake.
/rtsh.al/