E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ugolini, Historia e gërmimit dhe zbulimit të Teatrit të Butrintit

TIRANE-Historia e gërmimeve në Teatrin e Butrintit është direkt e lidhur me zbulimin e vetë qytetit, të atij qyteti që quhej një ‘Trojë tjetër’ dhe që e shoqëroi arkeologun Italian, Luigi Maria Ugolini, që nga vizita i tij e parë në Shqipëri, në Prill 1924, deri në vdekjen e tij të parakohshme, në Tetor 1936.
Në pranverë të vitit 1928, katër vjet pas vizitës së tij të parë në Shqipëri, arkeologu i ri filloi gërmimet arkeologjike në Butrint, pa e ditur se çfarë do të zbulonte, por brenda vehtes kishte një shpresë që duke gërmuar do të gjente shumë monumente apo edhe një qytet, që do të shtrihej ndërmjet realitetit e legjendës.
Ishte një legjendë e inspiruar nga vargjet e Virgjilit, të cilat përshkruanin peripecitë e Eneas, i cili arriti në Butrint, ku takoi trojanin Elen, të birin e Priamit, që ishte bërë mbret i zonës së Kaonëve pas vdekjes së Pirros, të birit të Akilit, dhe ishte martuar me Andromakën, pasi ajo kishte mbetur e ve nga vdekja e Hektorit. Butrinti përshkruhej si një shkëmb që në miniaturë riprodhonte qytetin e shkatërruar të Trojës. Enea u largua më pas drejt Italisë e vetë Romës, për të ngritur atje muret e një Troje të Re. Të gjitha këto vargje te poetit të pavdekshëm të Romës Perandorake, Virgjilit, të gjithë këto personazhe, emra e vende me kalimin e kohës krijuan në mendjen e Ugolinit një përzjerje zërash, dritash, ngjyrash e imazhesh, imazhe skenash imagjinare, të një vepre teatrale të pakompletuar, por që në tërësinë e tyre kërkonin të gjenin një vend ku mundet që të prezantoheshin në mënyrë simbolike. Dëshironin ndoshta të gjenin një teatër..... Në këtë qytet, që dukej i vdekur për të gjithë, që nga sytë e Qiriakut të Ankonës deri tek ato të vetë Ugolinit, brenda gërmadhave të padukshme, pemëve e shkurreve, personazhet luanin fshehurazi, si në një teatër, historinë e vërtetë të qytetit antik, të harruar për disa shekuj nga koha e njerëzit. Dhe Teatri i Butrintit ishte një simbol i rëndësishëm i vetë qytetit antik, në të cilin rrinte e fshehur historia e ishte lënë jashtë jo vetëm emri i qytetit paksa të transformuar, por edhe ndonjë gërmadhë arkeologjike.
Gjatë udhëtimit të tij të parë në Shqipëri, kur në dy ditë kishte parë tre qytete antike: Kalivo, Buthroti (Butrinti), e çukën e Ajtoit, Ugolini nënvizonte se kishte qenë me fat që kishte kaluar në kanalin e ngushtë, që lidhte detin Jon me gjirin e Vivarit ‘shumë të pasur në peshq’ e që kishte ndalur vetëm për pak kohë në mbrëmje vonë në të majtë të kanalit të Butrintit e nuk kishte mundur të kthehej më aty. Por gjatë kësaj vizite të shkurtër kishte vënë re kështjellën veneziane e turke, ‘poetikisht të veshur me edera’; muret rrethuese me mure kuadratike në pjesen e sipërme të kodrës dhe një porte hyrje të qytetit, të cilën do ta quante më vonë Porta Scea. Për Ugolinin në fillim nuk ishte e vështirë që t’i identifikonte këto rrënoja me ato të qytetit antik Buthrotum, të përshkruar nga poeti romak dhe argumentonte që Butrinti ishte një modifikim morfologjik i emrit antik. Përshkrimi Virgjilian ishte gjithashtu i tillë që lejonte aplikimin e këtij vendbanimi në rrënojat e Buthrotit antik. Por Ugolini dyshonte në idenë e Virgjilit për krahasimin e Buthrotit të lartë me Trojën “et celsam Buthroti accedimus urbem”. Kodra e vogël atij nuk ju duk aq e lartë sa të kalonte lartësine e 60 metrave. Ndoshta ky ishte një nga motivet për të cilat Misioni Arkeologjik vendosi të fillonte veprimtarinë arkeologjike në Foinike, një qytet antik shumë i rëndësishëm, kryeqytet i Epirit, me një sipërfaqe të akropolit 7 herë më të madhe se akropoli i Athinës. Akoma nuk është saktësisht e ditur arësyeja se përse u zgjodh pikërisht Foinike: ishte ndoshta një propozim i vetë Ugolinit, një sugjerim i Roberto Baribenit, Soprintendent i Misioneve Shkencore Italiane në Levante, apo ndonjë orientim nga vetë Musolini?
Gërmimet arkeologjike në Foinike, që filluan në dhjetor të vitit 1926, ishin mjaft entuziaste dhe rezultative. Por krejt papritur, pas vitit të parë të gërmimeve, rreth fundit të vitit 1927, kur Ugolini publikonte në gazetat e revistat e Europës rezultatet e shkëlqyera të gërmimeve dhe perspektivën e fushatave arkeologjike në këtë qytet, në mëndjen e tij ndriste dëshira e rikthimit në Butrint. Kjo dëshirë u materializua në Nëndor 1927, kur ai rikthehet për t’i riparë rrënojat e Butrintit, të cilat kishin lënë mjaft gjurmë tek arkeologu i ri. Kjo dëshirë përkonte edhe me politikën e atëhershme të Musolinit, për rikrijimin e Perandorisë Romake, mbështetur nw poemën Virgjiliane e udhëtimin e Eneas, udhëtim që lidhte Trojën, Butrintin dhe Romën. Butrinti në fakt, ishte njw rrugë shpirtërore që lidh së bashku Trojën e shkatërruar dhe Romën që do të lulëzonte.
Në fakt kjo dëshirë e Ugolinit, nuk është aspak e dukshme në volumin e parë të librit të tij Albania Antica, që doli nga shtypi në vitin 1927, botuar në Romë nga Shoqata Gjeografike Italiane me parathënie të arkeologut të njohur, Roberto Paribeni. Në këtë libër qyteti antik i Butrintit përshkruhet shkurt, në më pak se dy faqe, e vetëm me një fotografi të ‘kodrinës ku gjënden gërmadhat e Buthrotit’; ndërsa Foinike ne 14 faqe e 8 fotografi. Por dëshira e madhe tij, pothuaj e fshehur, ndërsa lexonte e rilexonte Virgjilin, në fakt u materializua në kërkesen që ai i drejtoi Ministrit, pranë Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, me 12 Dhjetor 1927.
Pas katër ditësh, me 16 Dhjetor, Ministri Italian në Shqipëri, Ugo Sola, informohej, përmes një letre të shkruar nga Ugolini, për intensifikimin e kërkimeve e studimeve të Misionit Arkeologjik. Në këtë letër Ugolini flet edhe për kërkesën që ai i kishte bërë Ministrit Shqiptar të Arësimit, në të cilën bënte propozimin për fillimin e fushatës së re të gërmimeve arkeologjike të vitit 1928, jo më në Foinike, por në zonën e Butrintit.
Në Janar 1928, nga Akropoli i Butrintit, Ugolini shkruan një artikull për veprimtarinë e Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, duke rikujtuar se kërkimet e para arkeologjike në Shqipëri ishin bërë në vitin 1418 nga Qiriaku i Ankonës, artikull që u botua në Romë në Mars të po atij viti. Ugolini ishte akoma në Butrint në Mars duke organizuar fushatën e re të gërmimeve, i shoqëruar nga Inxhinjer Dario Roversi Monaco, arkitekt i Misionit dhe Alfredo Nuccitelli, asistent mbikqyrës i punimeve. Më vonë Misionit ju shtuan edhe Igino Epicoco, piktor; Luigi Morricone, epigrafist; Claudio Sestieri, arkeolog, etj. Në Butrint, në ato kohë, shkohej vetëm nëpërmjet detit me traget dhe nisja bëhej nga Saranda ose Santi Quaranta (Qyteti i Dyzet Shënjtorëve), si qyteti më i afërt me Butrintin. Ugolinit udhëtimi me anije i kujtonte Enean, i cili gjithashtu kishte lundruar në të njejtin det.
Pashkët e atij viti grupi i festoi në Butrint dhe fill pas këtyre festimeve, filluan gërmimet arkeologjike. Gërmimet e para nxorrën në dritë: Portën Lindore ose Portën Scea, një mozaik Romak të identifikuar ndoshta me frigidarium-in e termave, një pus shumë interesant te mbiquajtur Pusi i Shenjtë i Giunia Rufina dhe një mozaik shumëngjyrësh që do të identifikohej më vonë me Baptisterin.
Duket sikur flasim për nje lloj ëndrre ku ishin burgosur Ugolini dhe shpirtrat e qytetit të fshehur, aty ishin edhe gjurmët e pallateve të Elenit, por historia e gërmimit nuk është vetëm kjo lojë e mendimeve dhe e nostalgjisë, por është e bërë nga vështirësi të shumta, pritje të gjata, kohë me diell e shi, shumë miza e mushkonja, copa muresh, mozaikë, skulptura dhe, gëzime të sinqerta.
Ndërsa priste arritjen e operatorit kinematografik, Ugolini shkruante që po vazhdonte gërmimet ndën një fragment të dukshëm muri, që sipas tij mund të ishin pjesë e një bazilike. Ai përmend edhe faktin se aty kishin dalë në dritë edhe 2 statuja, dhe propozon ndërtimin e një Muzeu Arkeologjik. Në fakt kjo letër është dëshmia e parë e fillimit të gërmimeve në Teatrin e Butrintit, ndonëse muret e dukshme të këtij monumenti, për Ugolinin identifikoheshin si fragmente të një Bazilike Romane. Në Qershor Ugolini informon Konsullatën Italiane se gërmimet shënonin një progres në veprimtarinë e Misionit dhe me entuziazëm përmend faktin që me datë 14 Qershor, kishin dalë në dritë 5 statuja të mëdha e të bukura mermeri, por akoma nuk mendonte se kishte të bënte me strukturën e një teatri. Për Ugolinin gërmimi në vetvehte ka një zë të qartë që flet, dhe për atë që ka vesh ta dëgjojë, ky zë ka një theks të bukur e të vazhdueshëm, që është në fakt ai, i cili ndihmon arkeologun, që të kapërcejë momentet e vështira, të cilat nuk mungojnë kurrë, herë për një arësye e herë për një tjetër. Me 5 Korrik Ugolini u largua nga Butrinti për t’u rikthyer në vjeshtë, sepse vapa, mushkonjat, malaria e nëpërkat nuk lejonin vazhdimin normal të punimeve.
Për Ugolinin gërmimi i Teatrit ishte ai më i gjati, më i hapuri dhe më i vështiri. Teatri ishte komplet i mbuluar dhe jo vetëm me shtresa dheu, por dhe me materiale të tjera duke përfshirë masa të mëdha shkëmbore të rëna nga muret e sipërme të kodrës dhe lartësia e mbulimit ishte 6-8 metra. Përveç këtij mbulimi në lartësi aty kishte edhe infiltrime të ujrave të liqenit si edhe ngritje të nivelit të ujrave nëntokësore. Gjatë gërmimit dyshemeja e skenës dhe e orkestres ishin të zhytura në baltë, gjë që vështirësonte shumë punimet.
Duke ndjekur gjurmët e murit të skenës, që për Ugolinin akoma identifikoheshin si fragmente muresh të një Bazilike Romane, u pa se muri ishte i dekoruar me nike. Ugolini filloi menjëherë gërmimin poshtë nikeve, me dëshirën e zbulimit aty të statujave si edhe me kuriozitetin profesional të zbulimit të funksionit të monumentit, pjesë e të cilit ishte ky fragment muri. Pas idesë së parë për ekzistencën e një Bazilike, atij i erdhi idea e dytë, që i lidhte fragmentet e mureve me ekzistencën e një ndërtese të madhe Termash, dhe vetëm në Maj të vitit 1929 Ugolini mendoi mundësinë e ekzistencës aty të një Teatri, mendim që u kristalizua me zbulimin e caveas ose të thënë ndryshe të shkallares. Teatri ishte i rëndësishëm jo vetëm për strukturën e tij ndërtimore: Cavea, orkestra (orkestra ka qënë e vazhdon të jetë e mbuluar me ujë) dhe skena, por dhe për statujat dhe kompleksin e mbishkrimeve me rëndësi epigrafike.
Pas kësaj arritje si edhe për punën e kontributin e dhënë në zbulimin e qytetit antik të Butrintit, Ugolini u dekorua nga Mbreti Zog me ‘Urdhërin e Skënderbeut’.
Me 16 Shtator një Krocierë, e cila quhej jo rastësisht ‘Krociera Virgjiliane’, arriti në Butrint dhe Ugolini do të shoqëronte atë dhe të gjitha Krocierat që do të vinin çdo shtator deri në vitin 1936, një muaj para vdekjes së tij të parakohshme.
Me 26 Shkurt 1932, me një letër drejtuar Ministrit të Arësimit, Ugolini informon se kishte përfunduar gërmimin e Teatrit të Butrintit. Me entusiazëm ai thotë se monumenti prezantohej me gjithë bukurinë e në gjithë interesin e plotë që ai paraqet. Me 2 Prill të po këtij viti, në një raport për veprimtarinë e Misionit Arkeologjik, Ugolini shkruan se në gërmimet e Butrintit një vend të rëndësisë së parë ka Teatri greko-roman, ‘monument i ruajtur shumë mirë, sidomos në skenën, gjë e rrallë në monumentet e këtij lloji si edhe në statujat e bukura e mbishkrimet e shumta’.
Në pranverë të vitit 1936 ai shkruan librin e tij romantik “Butrinto. Il mito d’Enea, gli scavi” (Butrinti. Miti i Eneas, gërmimet), në të cilin përshkruhen rezultatet e gërmimeve, frut i 8 vjet pune të lodhshme, libër i cili u botua në vitin 1937 (një vit pas vdekjes së tij). Libri është një citim e vazhdueshmëri citimesh të Virgjilit e është nje lloj demonstrimi i lidhjes ndërmjet legjendës e realitetit.
Me 20 Mars 1937 pasardhësi i Ugolinit, Pirro Marconi, vazhdonte gërmimet në zonën ndërmjet Teatrit e kanalit, që lidhte liqenin e Vivarit me detin, jashtë mureve rrethuese të periudhës greke, gjë që konfirmonte se Teatri ishte totalisht i gërmuar nga Ugolini.
Kështu mbyllet historia e gërmimeve në Teatrin e Butrintit, qytet që filloi të zbulohej në pranverën e vitit 1928, në atë pranverë mitike që nxori në pah një dimension tjetër të atyre pak mureve të dukshme të mesjetës së vonë, mbi kodrën e Butrintit, pranë Kanalit të Vivarit. Edhe sot e gjithë ditën, pranvera dhuron një imazh mitik në Butrint. Aroma e gjelbërimit, ngjyrat e ndryshme të pemëve, cicërimat e zogjve, perëndimet e mrekullueshme të diellit, netët e qarta me hënë nuk largohen kollaj nga mendja e çdo vizitori. Gjarpërinjtë e shumtë që zëvëndësuan lëvizjet, pas mbylljes së Misionit Arkeologjik Italian në vitin 1943, dhe që gjetën strehë në rreth dy dekada, u zhdukën si një masë preventive, për t’i paraprire vizitës së Hrushovit aty dhe, me sa duket nuk mundën që të riktheheshin më.
Ndërmjet gjithë lëvizjeve poetike të natyrës, vizitori sapo hyn në qytetin antik, duke lënë prapa Kanalin e Vivarit, kështjellën trekëndore e torrën Veneziane, prezantohet nëpërmjet një harku të thyer, me tempullin që i dedikohet Asklepit, dhe menjëhere pas tij me një kënd të shkallares së Teatrit e një pjesë të murit të skenës. Në niket e murit të skenës mungojnë statujat e nikeve, të zbuluara nga Ugolini, edhe pse unë i shoh akoma në vendet e tyre.
Vizitorët nuk mund t’i shohin të gjitha këto dhe, ata nuk e dinë historinë e vërtetë të zbulimit e gërmimit të Teatrit e as faktin se si pak para fundit të shekullit të kaluar, në Museo della Civiltà Romana u gjet edhe një dorëshkrim i pabotuar i Ugolinit, volumi i IV i Albania Antica, që i kushtohej Teatrit, dorëshkrim që kishte mbetur atje pothuaj i harruar për më se 60 vjet.
Butrinti ne fakt lidhet kryesisht me një emër, Luigi Maria Ugolini, me jetën e tij të shkurtër, por intensive, që i dha shumë arkeologjisë në Shqiperi, duke sjellë në jetë jo vetëm një teatër, por edhe një qytet të nëndheshëm të mbuluar nga balta e harresa, që sot është një mikrokozmos i qytetërimeve Mesdhetare.
Në këtë vazhdë dëshiroj të përmend edhe kontributin e të gjithë anëtarëve te Misionit Arkeologjik Italian edhe të arkeologëve, pasardhës të Ugolinit: arkeologët Pirro Marconi, Domenico Mustilli e Claudio Sestieri; Igino Epicoco, piktor i Misionit; Dario Roversi Monaco e Carlo Ceschi, arkitektë të Misionit; asistenti Alfredo Nuccitelli e Luigi Morricone, epigrafist. Natyrisht që nderoj me shumë respekt kontributin e kujtimin e profesorëve e kolegëve të mij të nderuar Selim Islami, Skënder Anamali, Dhimosten Budina, Astrit Nanaj e Petraq Damko. Dhe krahas kujtimit për ata që nuk janë më nuk mund të mos përmend të tjerë si Kosta Lako e Dhimitër çondi apo dhe të tjerë që do ta bënin shumë të gjatë listën. Të gjithë këto emrat e kontributet e tyre lidhen me vazhdimin e shkëlqyer të gërmimeve në këtë qytet.
Në Teatrin e Butrintit, kur verën e kaluar bashkë me Epidamnin, djalin tim, gjatë një festivali Ballkanik të teatrove, po shihnim ‘Orfeun’, luajtur nga një trupë e shkëlqyer Greke, më dukej sikur aty kalonte hija e Ugolinit dhe në imagjinatën time dukej sikur më kujtonte faktin se ne nuk jemi tjetër veçse maska ose personazhe pa maska (natyrisht jo heronj të destinuar për të hapur kutitë e vjetra të mbushura plot me kujtime historike).

Tiranë, Janar 2010

Marre nga: MILOSAO

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›