Uidhers: Gërdeci ndryshoi raportet e mia me Berishën

Kryeministri Berisha me ish-ambasadorin e SHBA ne Tirane, Xhon Uidhers, gjate nje aktiviteti
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, intervistë për VOA
“Sistemi politik shqiptar po dështon, nuk është në gjendje të krijojë konsensus”
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Xhon L. Uidhers II, në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, shpreh shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, marrëdhëniet e tij me Berishën, Gërdecin, ngjarjet e 21 janarit etj.
Ambasador Uidhers, mirë se erdhët! Le të flasim pak për mendimet tuaja për Shqipërinë sot, pothuajse dy vjet pasi ju jeni larguar…
Unë e kujtoj vazhdimisht Shqipërinë. Jam i kënaqur që jam kthyer në vendin tim, por më merr malli për Shqipërinë, më merr malli për shumë gjëra, sidomos të lidhura me miqtë e shumtë atje. Si ta shpreh me pak fjalë: më merr malli të pi një kafe, një kafe me gjithë kuptimin që ka ky ritual në Shqipëri, përfshirë bisedat dhe miqësitë. Më merr malli për malet, për qiellin e Shqipërisë.
Si e shihni vendin sot, për aq sa e keni ndjekur këto kohë?
Është e vështirë ta ndjek aq afër sa çe ndiqja më parë. Tani unë nuk kam më pozitë zyrtare, jam thjesht një qytetar amerikan, por jam i shqetësuar për Shqipërinë jo përsa i takon energjisë dhe talentit, apo vullnetit të mirë të popullit shqiptar. Unë kam besim të plotë në gjenialitetin e popullit shqiptar, por shqetësohem për mënyrën se si po shkon demokracia në Shqipëri. Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria, e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës, që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, ashtu siç ne presim që ti ketë një demokraci e zhvilluar. Këto gjëra më shqetësojnë.
Në kabllogramet që ju dërgonit nga Shqipëria në Departamentin e Shtetit, ngrinit pikërisht këto shqetësime, për gjendjen në të cilën ndodhet Drejtësia, për korrupsionin në vend, probleme të tilla të rrënjosura në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Pse mendoni se nuk ka qenë në gjendje Shqipëria ti zgjidhë këto probleme?
Më vjen keq ta them, por mendoj se ky është problem i udhëheqjes politike. Për Shqipërinë kjo është diçka për të ardhur keq, por edhe ironike njëkohësisht, sepse Shqipëria ka një nga shembujt më të mëdhenj të udhëheqjes në gjithë historinë, që ishte Skënderbeu. Mjafton ti hedhësh një sy modelit që ai ka lënë pas: ai ishte një udhëheqës që solli bashkimin në Besëlidhjen e Lezhës në vitin 1444. Ai i bashkoi të gjitha palët rivale për interesin kombëtar. Udhëheqësit e sotëm nuk janë bashkues, janë përçarës. A përfaqësojnë ata interesin kombëtar? Mua më duket se ata përfaqësojnë interesat e fraksioneve dhe partive, përfaqësojnë interesin e ngushtë të mbajtjes së pushtetit, jo të qeverisjes në shërbim të popullit. Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbegë dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë.
A mendoni se udhëheqësit që ka Shqipëria nuk janë në gjendje ta çojnë vendin përpara, apo është mjedisi që ushqen këtë lloj fryme?
Nga ajo që kam parë unë, nuk besoj se është mjedisi. Ajo që pashë unë në Shqipëri ishte një dinamizëm i madh, aftësi krijuese, njerëz që përpiqen për shanse dhe mundësi të shumta, për mënyra për përmirësimin e tyre. Unë mendoj se sistemi politik ta them shumë hapur po dështon. Nuk është në gjendje të krijojë konsensus, nuk është në gjendje të identifikojë atë që do publiku dhe të punojnë për publikun. Më lejoni përsëri tju sjell një shembull të historisë. Një nga shprehjet më të famshme të Skënderbeut ishte: Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj. Ai i kuptonte aspiratat e publikut dhe këtij synimi iu përkushtua për ta arritur. Në Shqipërinë e sotme, një frymë e tillë është ende e pranishme: aspiratat e shqiptarëve për liri, për përparim. Pyetja ime është: Pse ata që janë në pushtet nuk e përqafojnë këtë frymë dhe ta çojnë përpara, pse pothuajse në çdo veprim që bëjnë ata e thyejnë këtë frymë, që është kaq e qartë mes shqiptarëve në përgjithësi?
Cila mendoni ju se është përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje?
Mendoj se bëhet fjalë për polarizim, për udhëheqës që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për ta demokracia është diçka jashtë tyre, është diçka që nuk u vjen për shtat, diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, demokracia nuk u vjen nga zemra. Mendoj se ky është problemi më i madh. Abraham Linkolni ka bërë përkufizimin më të thjeshtë dhe të përmbledhur për demokracinë: Demokracia është qeveria e popullit, që buron nga populli dhe për popullin. Dhe pyetja që i drejtoj popullit shqiptar është: A e shihni ju një gjë të tillë te udhëheqja juaj? A shihni një qeveri të popullit, apo shihni një qeveri të grupeve të vogla klanore, që votohet për të mbajtur vetveten në pushtet? A shihni një qeveri të dalë nga populli, apo një qeveri që është e shkëputur nga populli, që ndjek interesat e veta, apo të partisë së vet dhe jo të të gjithë popullit? Dhe a shihni një qeveri për popullin, një qeveri që punon për çfarëdo partie që përfaqëson një udhëheqës politik, apo një qeveri që thjesht i dedikohet ruajtjes së pareshtur të pushtetit, dhe jo një angazhim të fortë dhe të përkushtuar ndaj qeverisjes?.
Nuk është sekret që gjatë mandatit tuaj, ju e keni kritikuar qeverinë dhe Kryeministrin e saj, zotin Berisha. Çfarë mendoni për stilin e tij të udhëheqjes?
Më lejoni të them në fillim se kam dëgjuar që Kryeministri ka pasur një rast kur nuk është ndjerë mirë me shëndet kohët e fundit dhe dua të përfitoj nga rasti ti uroj të jetë mirë. Shpresoj që ta marrë veten shpejt dhe plotësisht. Ai ka një përgjegjësi të madhe dhe duhet të ketë të gjitha forcat për ti kryer ato. Do ta riformuloja pyetjen tuaj. Nga këndvështrimi im, nuk ishin kritika ndaj Kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndaj ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri. Bëhej fjalë për politikat e tyre, bëhej fjalë për temën më të gjerë të parimeve të demokracisë. Kjo ka rëndësi. Dhe nuk bëhet fjalë për të veçuar një individ as andej, as këtej, sepse nuk është asgjë personale. Bëhet fjalë për të analizuar veprimet që nuk janë në përputhje me parimet e demokracisë. Mbështetja ime është për parimet demokratike në Shqipëri, gjë që mendoj se pasqyron si interesat e popullit shqiptar, ashtu dhe atij amerikan. Ne duam të shohim një demokraci të shëndetshme në Shqipëri. Pra nuk është fjala tek individë të caktuar, por te strukturat, parimet, është fjala për krijimin e institucioneve të shëndetshme.
Por dikush është në krye të qeverisë e dikush është në krye të opozitës, dhe mënyra se si dikush e drejton një qeveri apo parti politike, ka ndikim në drejtimin që marrin gjërat.
E kuptoj, por doja ta bëja të qartë dallimin që dikush mund të mos jetë dakord me një mendim dhe një qëndrim, pa a humbur respektin për personin që e ka këtë mendim apo qëndrim. Përsa i takon qëndrimit të qeverisë aktuale, unë do ta këshilloja që ta mendonte edhe një herë se Shqipëria ka mundësi dhe nevoja, një të ardhme për të cilën duhet menduar jo vetëm për qytetarët e sotëm të Shqipërisë, por për fëmijët e tyre. Kur qeveria sulmon institucionet e demokracisë dhe kur injoron parimet e demokracisë, kjo është diçka që më shqetëson thellësisht. Më lejoni tju jap