E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ujësjellësi i ri në Lezhë, 6 milionë euro nga buxheti i shtetit për fshatrat Rraboshtë e Mërqi

Buxheti i shtetit po investon 6 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit të ri për fshatrat Rraboshtë dhe Mërqi të bashkisë Lezhë.

Me përfundimin e këtij investimi të rëndësishëm, 3 mijë banorët e këtyre dy fshatrave do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje.

Siç bën të ditur drejtuesja e projektit, inxhinierja Ermenita Ceka, punimet po ecin me ritme të përshpejtuara, duke u fokusuar kryesisht te hapja e rrjetit të kanalizimeve dhe shtrirja e tubacioneve. 

“Projekti i fshatit Mërqi-Rraboshtë ka gjithsej rreth 79 km linjë, 32 km janë në fshatin Mërqi dhe 32 km në fshatin Rraboshtë, ndërsa pjesa tjetër, 15 km, është linja e jashtme. Deri tani ne kemi punuar me pjesën e furnizimit të dy fshatrave. Nga pjesa e përgjithshme janë realizuar rreth 36 për qind e linjave, jo e totalit të kontratës,” thotë inxhinierja Ceka.

Më pas do të nisë puna në procese të tjera, që lidhen me shtrirjen e rrjetit pranë çdo familjeje, instalimin e matësve të ujit, realizimin e kaptazheve, pus-shpimeve dhe ndërtimin e dy rezervuarëve me kapacitet 400 m³ ujë secili.

Afati i përfundimit të kësaj vepre me rëndësi publike për komunitetin e dy fshatrave Rraboshtë dhe Mërqi është planifikuar për në fund të vitit të ardhshëm, por operatori i zbatimit të punimeve garanton se banorët do të marrin ujë të pijshëm pa ndërprerje 10 muaj më herët se afati i parashikuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›