Rasti i parë në Maliq me murtajën e ruminantëve të vegjël, asgjësohen 190 krerë në fshatin Shkozë

Rasti i parë i murtajës së dhenve dhe dhive është konfirmuar në fshatin malor Shkozë të bashkisë Maliq.
Shërbimi veterinar ka identifikuar një tufë të infektuar dhe ka nisur asgjësimin e 190 krerëve, ndërsa 20 të tjera kanë ngordhur.
Për shkak të terrenit të vështirë, groposja po kryhet në një zonë të kontrolluar, ndërsa dyshohet se infektimi ka ardhur nga krerë të blerë së fundmi në një zonë tjetër.
“Do të eliminohen gati 190 krerë të imta, dele e dhi. Gjatë dy ditëve kemi edhe 20 ngordhje, të cilat u groposën dje.
Tre gjëra duhet t’ju them: mos blini kafshë me origjinë që nuk dihet! Mos i lëvizni kafshët nga ferma juaj në një fermë tjetër. Mos nxirrni dhe mos merrni kafshë në treg. Kafshët që kalojnë në thertore detyrimisht duhet të kontrollohen nga veterineri,” apeloi Adriatik Skënderasi, përgjegjësi i Shërbimit Veterinar të qarkut Korçë.
Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, deklaroi se është ngritur një task-forcë për menaxhimin e situatës dhe janë bërë kontakte me Ministrinë e Bujqësisë për të ndihmuar fermerët.
“Është një zonë që mban dele, dhi dhe vetë komuniteti i këtyre zonave mbahet me këto bagëti. Të shpresojmë që dëmet të jenë sa më të pakta. Ne si pushtet lokal dhe qeveria do të kenë mbështetje maksimale për të gjitha rastet,” deklaroi z. Topçiu.
Shërbimi veterinar ka zgjeruar kontrollin deri në 10 km, ku po kryhen verifikime, ndërsa bëhet thirrje për ndalimin e lëvizjes së bagëtive për të frenuar përhapjen e virusit.
Gazetare: Elsa Xhindole
/rtsh.al/