E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujkani: “Goli? Më mirë që ma shënoi një shqiptar”Portieri i Novarës e Kombëtares: “Ndoshta goli i Myrtajt më sjell mbarësi”

Publikoje ne:

Samir Ujkani ka mbrojtur me sukses portën e Shqipërisë në miqësoret kundër Gjeorgjisë dhe Qipros. Portieri kosovar i huazuar nga Palermo e Serisë A te Novara e Serisë C1 në Itali, tregon eksperiencën e tij me klubin italian, por dhe përjetimet e golit të parë të pësuar në kampionat, në takimin Novara-Sorrento (2-1), pikërisht të realizuar nga një tjetër shqiptar, “skafisti” Florian Myrtaj, ish-sulmues i Kombëtares shqiptare dhe një “ekspert” i kategorive inferiore në Itali. Ujkani është lojtari i vetëm i Novarës që vesh fanellën e një ekipi Kombëtar, gjë që e çmojnë shumë në skuadrën e tij.

Samir, në takimin kundër Sorrentos në javën e dytë të Serisë C1 në Itali, pësove dhe golin e parë si portier i Novarës, për më tepër nga një Myrtaj. Si ta shënoi golin ai?
Myrtaj më bëri një gol shumë të bukur. Nuk kisha asnjë mundësi ta shmangja. Natyrisht, që nuk jam i kënaqur që pësova gol, por më mirë që e pësova nga një shqiptar, sesa nga ndonjë tjetër. Ndoshta më sjellë mbarësi. ër më tepër që nga një lojtar i madh. Gjithsesi, fituam 2-1 dhe kjo i mbylli edhe polemikat brenda skuadrës.

A u takuat pas ndeshjes me Florianin
Ishim takuar edhe para fillimit të takimit. E njohëm menjëherë njëri-tjetrin, pavarësisht se ishte hera e parë që luanim kundër njëri-tjetrit. Në të vërtetë, më përgëzoi për ato çka kishte dëgjuar më parë për mua. Mu bë qejfi, pasi ai është lojtar me eksperiencë, dhe për më tepër ka qenë futbollist i Kombëtares shqiptare. Më erdhi keq për të, se mori një karton të kuq, qysh në pjesën e parë, dhe më shumë folëm për këtë rast. Myrtaj, me tha se nuk erdhi keq që humbi, por se u ndëshkua, sipas tij, me pa të drejtë.
Jeni kualifikuar për turet e ardhshme të Kupës së Italisë, duke eliminuar një ekip të madh si Parma.
Ishte vërtet një ngjarje e madhe për një klub modest si Novara. Kam zhvilluar pesë ndeshje me Novarën, tre për kupë e dy për Serinë C1, dhe drejtuesit e klubit janë të kënaqur me paraqitjet e mia.

A ka një grup lojtarësh Novara, që të jenë në gjendje ta çojnë atë në Serinë B?
Po, ka një grup të mirë. Kur erdha nga Palermo te Novara, jam befasuar. Ka disa lojtarë me eksperiencë, që kanë luajtur më parë në Serinë B, por dhe një grup tjetër lojtarësh të rinj e ambiciozë. Presidenti i Novarës është njeri me ambicie dhe ka investuar. Personalisht shkova te Novara për të luajtur e fituar eksperiencë. Me përfundimin e sezonit do të rikthehem sërish te Palermo, pasi jam lojtar i saj.

Pjesë e Palermos është dhe sulmuesi Edgar Çani. A ka dëshirë dhe ai të luajë një ditë për Kombëtaren?
Edhe ai është huazuar te Padova. Nuk e di së çka vendosur ai për të ardhmen e tij në Kombëtare. Është vërtet një lojtar i mirë dhe ka perspektivë të madhe. Personalisht, do të më vinte mirë që ai të luante me përfaqësuesen tonë.

Fakti që je lojtar i Kombëtares shqiptare, vlerësohet te Novara?
Sigurisht, për më tepër që jam lojtari i vetëm i kësaj skuadre që luaj në një përfaqësuese. Gjysma e lojtarëve janë të vjetër, e gjysma tjetër të rinj, argjentinas, apo të tjerë që nuk kanë shanse të luajnë për Kombëtaret e tyre. Kur u ktheva në klub pas fitores kundër Qipros, dhe mësuan se kisha qenë unë në portë, më pritën me një respekt të jashtëzakonshëm si drejtuesit, duke filluar nga presidenti, drejtori sportiv, trajneri ashtu dhe nga lojtarët. “Bravo, bravo!”. Të gjithë më pyesnin, se si kishte mundësi të fitonim aq thellë (6-1).

E Premte, 04 Shtator 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›