“Ulim çmimin e apartamenteve”, Berisha: Më pak taksa për ndërtuesit, paga minimale 500 euro

Kryetari i PD, Sali Berisha shfrytëzoi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale për të sqaruar planin e Partisë Demokratike për uljen e çmimeve të apartamenteve.
Berisha shpjegoi se programi i PD parashikon nga njëra anë kredi pa interes për çiftet e reja dhe ndërtimin e banesave sociale.
“Çmimet e sipërfaqeve të ndërtimit këtu janë stratosferike. Por ne do bëjmë sërish, përveç projektit që çdo çift, një çati, që nënkupton një grant prej 30 mijë eurosh për të mbuluar interesat e kredisë. Ne do ndërtojmë ndërtesa sociale me qëllimin e vetëm dhe kryesor që t’u japim mundësi shqiptarëve të strehohen me çmime të arsyeshme”, tha Berisha.
Por Partia Demokratike parashikon edhe uljen e taksave mbi ndërtuesit për të ulur çmimet e apartamenteve.
“Ulim me të paktën 10 herë taksat që merren sot mbi sipërfaqen e ndërtimit. Taksat llogariten me vlerën e shitjes, ato do llogariten me vlerën e projektit. Dhe në këtë kontekst, në qoftë se sot ndërtuesi paguan taksë 100 gjer në 300 euro për metër katrorë, do paguajë 2 deri në 8 euro për metër katror. Ky është zotimi ynë, çka do të reflektohet direkt në taksa”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha premtoi edhe mbylljen e procesit të legalizimeve pa asnjë pagesë nga qytetarët.
“Ne nuk bëjmë kurrë urbanizimin para legalizimit, ne bëjmë legalizim para urbanizimit dhe në këtë kontekst legalizimi do të jetë falas dhe çdo dokument leje, legalizimi që ju dispononi do të njihet si tapi me një dekret të veçantë”, tha kreu i PD-së.
Berisha u ndal edhe tek problematika e familjeve që kanë fëmijë autik, duke shpjeguar se pas 11 majit do të hiqet detyrimi që ata të bëjnë kontroll çdo vit për të përfituar pagesën e kempit.
“Natyrisht një diagnozë e tillë, përjashton plotësisht detyrimin për tu paraqitur çdo vit në KEMP, në vlerësimin tim. Së dyti, ana tjetër pozitive është se me mbështetjen tuaj, të babait, nënës, familjarëve, dhe të shkollës, këta fëmijë ecin dhe arrijnë të përfundojnë shkollën, të sistemohen si të tjerët”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike Berisha përsëriti premtimin për vendosjen e minimumit jetik 200 euro, pagës minimale 500 euro, dhe pagës mesatare 1200 euro./vizionplus.tv