E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ulja e çmimit të energjisë, eksperti Spaho tregon efektet në ekonomitë familjare

Enti Rregullator miratoi tarifat e reja të energjisë elektrike për periudhën 1 shkurt – 31 dhjetor 2025 për abonentët familjarë.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë vendim si historik, pasi për herë të parë në më shumë se tre dekada një vendim i tillë merret. Për ministren e Energjetikës, Belinda Balluku, kjo vendimmarrje vjen në një moment kur performanca financiare e kompanive në treg është përmirësuar.

Vendimi ka një kosto prej 3.1 miliardë lekësh në vit për kompaninë e shpërndarjes, ndërsa familjarët do të kursejnë në një faturë normale energjie në vit. Për bizneset, tarifat nuk ndryshojnë.

Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se me vendimin e fundit për të ulur çmimin e energjisë elektrike po favorizon familjet më të pasura.

Për të diskutuar më shumë për uljen e energjisë elektrike, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi, ishte eksperti i ekonomisë Mateo Spaho.

Z. Spaho renditi efektet në ekonomitë familjare nga marrja e kësaj mase. Eksperti i ekonomisë shtoi se ky lajm është pozitiv, pasi për herë të parë ka një ulje të çmimit të energjisë elektrike.

Intervista e plotë:

Çfarë ndikimi ka kjo ulje në një ekonomi familjare?

Spaho: Një ulje me 10.5% do të thotë 700 deri në 1 mijë lekë të reja. Pra, ky është impakti, 10 mijë lekë të vjetra në muaj. Është një lajm i mirë, pozitiv, që për herë të parë lehtëson xhepat e shqiptarëve. Tregon gjithashtu se, deri në një farë mase, kjo është pasojë e uljeve të çmimeve ndërkombëtare të energjisë elektrike dhe se Shqipëria është në gjendje të prodhojë më shumë energji elektrike. Lajm pozitiv në përgjithësi, por fatkeqësisht, nëse do të përfshihej edhe biznesi, do të kishte pasur një impakt edhe më të thellë në ekonomi, jo vetëm në buxhetet familjare.

70-100 euro kursim për një ekonomi familjare. Po për ekonominë kombëtare çfarë ndikimi apo çfarë peshe ka kjo masë?

Spaho: 30 milionë euro në vit. Ky është një ndihmë relativisht e vogël, sepse 1% e prodhimit të brendshëm bruto është 200 milionë euro. 30 milionë euro i bie të jetë 0.15%. Në fakt, është relativisht pak, por është e vërtetë që për herë të parë po flasim për një ulje të çmimit të energjisë elektrike. Shqipëria ka pasur një çmim të lartë të energjisë elektrike krahasuar me vendet e rajonit dhe kontinentin evropian. Kjo ulje na fut në atë që është mesatarja e çmimeve ndërkombëtare.

Rama sot foli për pavarësi të plotë energjitike në Shqipëri. A kanë lidhje direkte ekonomia dhe prodhimi i energjisë elektrike?

Spaho: Po, kanë lidhje, sepse dy elemente janë bazike për të pasur një ekonomi tendencialisht të qëndrueshme. Pra, themelet janë, nga njëra anë, energjitika dhe, nga ana tjetër situata e infrastrukturës. Nëse këto të dyja lidhen bashkë, mundemi të ndërtojmë një ekonomi, këto janë bazat. Në këtë 20-vjeçar të fundit, Shqipëria ka arritur të formojë baza që po duken gjithnjë e më shumë të qëndrueshme. Në fund të vitit 2023, ku kemi një raport zyrtar nga ERE, Shqipëria prodhon rreth 65% më shumë energji elektrike krahasuar me vitin 2008. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›