Ulja e kriminalitetit, Manja prezanton rekomandimet e qeverisë për prokurorinë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka prezantuar këtë të premte (3 maj) rekomandimet e qeverisë për Prokurorinë e Përgjithshme për kriminalitetin.
Manja deklaroi se për vitin 2024, rekomandimet e qeverisë grupohen në katër shtylla kryesorel rritja e pavarësisë së prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimet paraprake; forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional brenda dhe jashtë vendit.
Manja theksoi se kryefjalë e rekomandimeve të qeverisë, mbetet përpjekja e përbashkët e institucioneve për forcimin e sistemit të drejtësisë, dhe rritja e organit të prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit për krijimin e një mjedisi të sigurt për lirinë e çdo qytetari.
“Dua të vë theksin te një masë që vlen ta nënvizojmë dhe ka të bëjë me marrjen e masave proceduriale dhe administrative për garantimin e paanshmërisë dhe shmangien e çdo influence ose ndikimi ndaj prokurorëve gjatë kryerjes së hetimeve, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimeve paraprake.
Me rëndësi është dhe forcimi i kapaciteteve dhe burimeve njerëzore. Këshilli i Ministrave rekomandon se për 2024 të vazhdohet me rritjen profesionale dhe organizimin e trajnimeve për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore në përputhje me profilizimin e tyre sipas seksioneve brenda prokurorive”, tha Manja.
Ndalur te një tjetër prej rekomandimeve, atë të forcimit të luftës kundër korrupsionit, Këshilli i Ministrave ka sugjeruar 6 masa, kryefjalë e së cilave mbetet përdorimi me efikasitet i teknikave proaktive të hetimit dhe dënimi i autorëve të këtyre veprave penale.
“Me rëndësi ngelet rritje e përdorimit me efikasitet të teknikave proaktive të hetimit, vijimin e rritjes së personave të hetuar e dënuar për këto vepra penale, dhe dënimin e autorëve të këtyre veprave.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar: Këshilli i Ministrave rekomandon 9 masa. Fokusi vihet te marrja e masave për evidentimin dhe rritjen e numrit të procedimeve penale për veprat penale në kushtet e terrorizmit dhe ato që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.
Duhet të fokusohemi dhe te veprat penale që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike.
Garantimi i të drejtave themelore të njeriut: Një prej rekomandimeve më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave”, tha Manja.
/rtsh.al/