Ulja e rrezikut të përhapjes së armëve të lehta, prezantohet kënga e Big Basta

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe këngëtarin Big Basta prezantuan sot këngën “Leji Armët”.
Kjo këngë u prezantua si pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.
Prezenca e OSBE thekson se, forca e vërtetë qëndron në fuqinë për të zgjedhur rrugën e duhur, për të treguar guximin duke u thënë “jo” armëve të zjarrit.
Duke promovuar zgjedhje të përgjegjshme dhe duke rritur ndërgjegjësimin për rreziqet që lidhen me armët e zjarrit, Prezenca e OSBE synon të kultivojë një kulturë sigurie dhe paqeje.
Kënga “Leji Armët” u krijua nga Big Basta (Gerald Xhari) dhe Fabrika, nën konceptin e fushatës së konceptuar nga McCann Tirana, si pjesë e projektit “Asistencë ndaj autoriteteve kombëtare të Republikës së Shqipërisë për të ulur rrezikun e përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, që zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, financuar nga Bashkimi Europian, Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika e Francës.
/r.e/