Uljan Shpatarakut i hiqet leja e armës dhe i gjendet tre lloje armatimesh në banesën e tij

Uljan Shpataraku, i arrestuar për përkrahje të autorit të krimit në lidhje me çështjen e Ergys Agasit, është përjashtuar nga Policia e Shtetit disa javë më parë.
Ndërkohë, ndaj tij kanë nisur procedurat për heqjen e lejes së armës që e posedonte për shkak të funksionit.
Gjatë procedurave është konstatuar se Shpataraku mbante në banesë, me leje, disa armë të tjera private. Bëhet fjalë për 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë, të cilat janë sekuestruar nga autoritetet.
Shpataraku ka mbajtur më herët funksion në Policinë e Shtetit dhe është përmendur si person i afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Ai u arrestua në kuadër të operacionit të zhvilluar nga BKH dhe Policia e Shtetit për kapjen e Ergys Agasit, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK.
Ndaj Shpatarakut vijon procedimi për çështjen ku akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse SPAK do ta përfshijë edhe në hetimet për grupin kriminal që dyshohet se drejtohej nga Ergys Agasi.
Në fokus të verifikimeve janë edhe të dhëna që lidhen me një precedent të mundshëm penal të Shpatarakut jashtë vendit, të cilin ai dyshohet se nuk e ka deklaruar. Këto të dhëna mbeten për t’u verifikuar dhe kërkojnë hetim të mëtejshëm nga autoritetet.
Sekuestrimi i armëve dhe verifikimi i rrethanave në të cilat ato mbaheshin do të jenë pjesë e procedurave që vijojnë ndaj ish-zyrtarit policor.