Ulpiana Lama: Pasditet tona në Top Channel
Prej të hënës rikthehet në transmetim Pasdite. Nga ora 17.00 deri më 18.30, me një gamë informacionesh, të ftuar të shumtë, personazhe të veçanta e shumë risi. Pasdite vjen në këtë edicion të ri me një autore dhe prezantuese të re
Pasdite rikthehet në Top Channel. Edicioni i ri vjen po ashtu me një tjetër koncept, ideuar nga autorja Dori Daka, gazetare për shumë vite dhe ish-zv\kryeredaktore e gazetës Shqip, por edhe me një prezantuese të re: Ulpiana Lama. Përveç eksperiencës së mëparshme televizive, publiku e njohu në rolin e opinionistes në edicionin e shkuar të E Diell. Nga data 3 shtator, ora 17.00, Pasdite do të sjellë për publikun një gamë të gjerë temash e personazhesh, të cilët do të kenë shumë për të rrëfyer.
Sezoni i ri televiziv, të risjell sërish në ekranin e Top Channel. Këtë herë do të jeni e pranishme çdo pasdite. Ndërkohë ne ju kemi parë tek E Diell. Çfarë ju dha ai program dhe çfarë përfaqësonte ai në ndërtimin e imazhit tuaj?
E Diell ishte debutimi im në Top Channel. Në këtë televizion kam qenë e ftuar herë pas here, po ashtu edhe në kanale të tjera televizive, për të komentuar rreth zhvillimeve politike apo dukurive sociale. Formimi im lidhet me sociologjinë dhe filozofinë politike, për të mos përmendur disa vite mjekësi, prej të cilave nuk mbaj mend pothuaj asgjë përveç efekteve të aspirinës dhe ndonjë dijeje tjetër të rendit anekdotik. Pra formimi im është sociologji e filozofi, ndërkohë që e gjithë përvoja e punës lidhet me median dhe komunikimin. Gazetare televizive, radiofonike, kolumniste, eksperte e marrëdhënieve me publikun, këto kanë qenë zejet, fushat, në të cilat jam zhvilluar profesionalisht. Që t’i bie shkurt një historie të gjatë: në vjeshtë të vitit të kaluar me Alban Dudushin, me të cilin njihem prej viteve të shkollës së mesme e të cilit ia çmoj mençurinë, profesionalizmin dhe mirësinë, bisedonim rreth pasionit të tij dhe timit, televizionit, në terma të një angazhimi eventual të tijin në E Diell. Kur në janar Albani e mori drejtimin e këtij emisioni, më ftoi t’i bashkohesha ekipit. E dinte që isha e gatshme; e kishim menduar paraprakisht si mundësi…Pjesën tjetër, ju tashmë e dini. Në E Diell roli im ishte ai i opinionistes. Kjo është fjala që ne përdorim në shqip. Në fakt, ajo që i përshtatet më shumë është termi ‘croniquese’ në frëngjisht, kronikane nëse do ta përkthenim fjalë- për- fjalë shqip, por që nënkupton bashkëdrejtim dhe bashkautorësi. Pjesën bisedimore e nisëm thjesht si talk, për ta çuar në vijim drejt varietesë, me elemente humori, këngë, momente televizive. Tani ja ku jam, në këtë format të ri. Ka shumë dallime mes prezantuesit televiziv dhe aktorit, por në një pikë janë të ngjashëm: në lakueshmërinë, elasticitetin për të sprovuar veten në role/ formate të reja. Nuk mund të bëjmë gjithmonë të njëjtën gjë. Siç është shprehja “kush bën çfarë ka bërë gjithmonë, do të marrë çfarë ka marrë gjithmonë”…
Ti kthehemi emisionit të këtij sezoni. Cila është risia e tij, sipas jush, duke qenë se do të jetë edhe një autore e re, Dori Daka, ish-zv/kryeredaktorja e gazetës Shqip…
Gërshetimi i raportimit me raportin. Kjo është risia, siç e shoh unë. Raportimi gazetaresk, nën petkun e objektivitetit, di të jetë shpeshherë i amputuar nga emocioni njerëzor. Ndërkohë që pjesa e raportit që vendos me tjetrin, e atij kanali komunikimi special, sy më sy, e empatisë, kur e vë veten në vendin e tij, dhe i ofron mirëkuptim, e jo gjykim, sikur mungon jo vetëm në ekrane, por edhe në përditshmërinë tonë. Kjo besoj do të jetë prurja më e madhe e këtij formati.
Çfarë nuk do të shohim kurrë në Pasdite?
Nuk kemi ‘listë të zezë’. Jemi të dyja me Dorin në një mendje, pa asnjë mëdyshje në këtë pikë: për ne emisioni vjen i pari! Pasdite do të jetë një forum i hapur dhe kjo është një ftesë për të gjithë personat me energji krijuese, histori domethënëse, e këndvështrime pikante në mbarë hapësirën shqiptare, pavarësisht nëse jetojnë në Tiranë, Tetovë, Pejë a Ulqin.
Ulpiana Lama: Pasditet tona në Top Channel burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip