E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulqini, mikpritës i panairit të librit

Në këtë panair parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6 mijë tituj librash, nga të cilat mbi 500 janë tituj të rinj. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj, do të jenë librat e rinj që do të paraqiten para lexuesve ulqinakë dhe pushuesve të huaj.

Sikurse çdo vit, Panairi i librit në Ulqin edhe në këtë edicion të 10-të do të ketë të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore dhe politika. Këtë vit, të ftuar të veçantë dhe në qendër të vemëndjes së publikut bashkë me veprën e tyre, do të jetë shkrimtari Besnik Mustafaj nga Shqipëria dhe një shkrimtar i njohur nga Mali i Zi.

Mbrëmja e dytë dhe e tretë do t’i kushtohet ekskluzivisht autorëve që me kontributin e tyre kanë botuar veprimtari akademike, për të cilët do të flasin gjerësisht studiuesit Piro Misha, akademiku Josif Papagjoni dhe botuesja Irena Toçi. Panairi i sivjetëm është i pari që çel veprimtaritë me librin në stinën verore për t’i hapur rrugë më pas gjatë muajit gusht disa panaireve të tillë në Vlorë dhe Sarandë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›