“Undiscovered Balkans” rekomandon Shqipërinë për pranverë: Një klimë e mrekullueshme, në vendin e Shqiponjave

Agjencitë e ndryshme ndërkombëtare vijojnë të rekomandojnë Shqipërinë si një nga destinacionet e bukura për t’u vizituar për pushime.
“Undiscovered Balkans”, agjencia e udhëtimeve me seli në Britaninë e Madhe, shkruan se nëse keni nevojë për një arratisje të ngrohtë dhe me diell në Evropë në pranverë, Shqipëria është një nga destinacionet e duhura.
Sezoni i pranverës është një periudhë e mirë për pushime aktive në Shqipëri, pasi është e ngrohtë dhe jo me vapën përvëluese, ku mund të shijoni shtigjet e ecjes nëpër malet piktoreske, e sidomos shëtitjet në Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë.
Sipas agjencisë së udhëtimeve “Undiscovered Balkans”, një tjetër zonë që ia vlen për t’u vizituar në stinën e pranverës për vitin 2026 në Shqipëri është edhe ajo mes Thethit dhe Valbonës, destinacione mahnitëse për vizitorët.
Është koha e përsosur për të provuar aventurat ku do të zhyteni jo vetëm në një mjedis të jashtëzakonshëm natyror, teksa shkelni rrugët e lashta të karvanëve, por përjetoni edhe traditat e jetës në Shqipëri.
Gjithashtu, në pranverë në Shqipëri mund të kaloni pushime të bukura me familjen dhe fëmijët në periudhën e Pashkëve, pasi ka festë dhe shumë aktivitete, shkruan “Undiscovered Balkans”.
Ka shumë mundësi për të kaluar pushime të bukura për aventurierët në destinacione si Liqeni i Shkodrës i mbuluar me zambakë, ndërsa për ata që preferojnë rafting mund të zgjedhin Kanionet e Osumit.
Ndër të tjera, agjencia e udhëtimeve “Undiscovered Balkans” shkruan se për ata që duan të zhvillojnë ture kulturore, qyteti i Beratit, që është edhe pjesë e UNESCO-s, është një destinacion unik.
Në varësi të zonave ku do të shkoni, në pranverë Shqipëria mund të variojë nga e butë në e ngrohtë në muajt prill–maj–qershor, një klimë e mrekullueshme në vendin e shqiponjave.