E Diel, 1 Nëntor 2026

Unë nuk lëviz. Jam produkt i asaj kohe

Birçe Hasko ne filmin "Njeriu me Top", ne rolin e Tosun Baçit

Elsa Demo

Birçe Hasko ndodhet në mes të kinemasë i rrethuar nga studentë dhe profesorë të Akademisë së Arteve. Me titullin prof. thirren ata aktorë të djeshëm që u mësojnë të tjerëve zanatin të cilin ata vetë, e kanë fituar ose në mënyrë autodidakte ose në kurset e Institutit të Lartë të Arteve me metoda të huazuara nga ish Bashkimi Sovjetik. Titulli nuk është aspak honorifik. Por edhe shkencor aspak, sepse pedagogët-aktorë, ndër ta edhe Haskoja, e fitojnë titullin pa patur kontribut shkencor, pa shkruar edhe një faqe mbi specialitetin përkatës.

Sot flitet për profesor Birçe Haskon i cili bën 70 vjeç. Jam tepër i emocionuar dhe kam të drejtë të jem, thotë ai në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit e mbushur me shumë studentë të artit skenik. Kur flet prof. Birçe e ilustron bisedën me histori nga e shkuara ose jep ndonjë fjalë të urtë pleqsh apo prej ungjillit: Kush nget parmendën nuk duhet të shohë prapa. Ai falënderon ata që kanë lënë qetë dhe kanë ardhur sot në parcelën e tij për ta uruar.

Edhe drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti i drejtohet prof. Birçes duke i kujtuar postulatet e së kaluarës. Nëse di diçka nga mjeshtëria e aktorit, e di falë teje, thotë Elvira. Ti me rreptësinë tënde na mësove çështë puna, na mësove që talenti sështë asgjë.

Specialistët e Arkivit, veç albumit fotografik Prof. Birçe Hasko Mjeshtër i Madh, me imazhe nga rolet në kinema e teatër, por edhe nga çastet e lira me familjarë e miq, kanë zgjedhur sekuenca me batutat më të spikatura në aktorit. Nga roli i parë më 1971, te i fundit, më 2009, 17 minuta kolazh. Janë burim autentik për ata që duan të studiojnë punën e këtij aktori.

Sulo ballisti te Kur zbardhi një ditë (1971) i Piro Milkanit, i hapi rrugën në ekran. Gjithë gjithë ky është: një ballist ndanë një mezhde ndalon një kamion që transporton miell për gjermanin. Këta ore babam, zileps Suloja me tu rehatuar, edhe miell kanë po edhe këmbë kanë. Zilia e Sulos për ushqimin po edhe për qejfet e gjermanit, bëhet ankim: nga do mbajë lufta?

Filli dihet por fundi nuk i dihet kësaj punë, mi dhjefsha tëmën. Po fundin ty po ta them. Sonte do ti fusim në thes nja dy komunistë nga ata të peshkimit. I njoh unë ata horra. Me duart e mia do tua vë prangat…

Shoferi, Demir Hyskja, drejton një timon që diametrin e ka sa çështë krahu i këtij komunisti që transporton armë për partizanë në miellin gjerman. Ballisti përtypet dhe më në fund bën një kërkesë që e bën të ketë turp: Mbaje se më shpëtoi… Me siguri një nga batutat e arta për zhargonin e kinofilëve të Kinostudios.

Bie në sy menjëherë portreti prej malësori Labërie: hunda kërrute, sytë e zinj të rrumbullakët, nofullat të hequra si të tellallit myzeqar që e ndjekin një batalion qurrashësh të uritur te Koncert në vitin 1936 i Saimir Kumbaros: O milet… asnjeri mos mbetet pa ardhur në shesh. Hanëmet e nderuara do të kënaqin miletin me këngët e tyre. Tellalli thërret urdhrat e prefekturës dhe i kërkon Dafinës alias Tefta Tashko Koços që të këndojë për të Zare trëndafile/çma bëre me hile.

Këto të prof. Birçes quhen role të vogla por karakteresh nga ekspertët e artit kinematografik. Ai mund të shfaqet vetëm një herë në ekran por të lërë mbresë të thellë, si me portretin dhe batutat e Osmanit te Malet me blerim mbuluar (1971) i Dhimitër Anagnostit: Ka një babë ky që e bën çeço. Sdo të martohet po na, tërrt…

E folura e Labërisë (Birçe Hasko, është i lindur në Dukat) është ngjyrë me rëndësi në fizionominë e tij.

Po sjanë këto arsyet që atë e ndjekin personazhet ballistë, partizanë dhe fshatarë që vijnë si shqetësime për historinë dhe klasat shoqërore në kinemanë tonë të periudhës 1950-1990.

Tosun Baçi i prof. Birçes te Njeriu me top (1977) me regji të Viktor Gjikës, shfaqet me të tijtë në një aheng te rrapi i fshatit. Italia ka kapitulluar. Ballisti Tosun pret pak kec të pjekur. Në sfond dëgjohet kori: Se u mbushën malet plot me partizaaaanë/ dhe u ngrit sot gjithë Shqipëria për liri.

Ballisti në kinemanë shqiptare është prototipi inferior dhe bashkëpunëtor me pushtuesin, trim me të vetët, hipokrit me partizanët. Tosun Baçi është akoma para kecit që ia zënë në fyt vëllezërit partizanë që ndërpresin ahengun. Ah sa mirë bëtë që erdhët vëllezër. Hajdeni, hajdeni se dua tju përqafoj në këtë ditë të shënuar. Ballisti është gjithnjë me një shishe rakie në dorë ose para një sofre me mish. Mirëqenia e tij kur populli i pushtuar vuan, është damkë që ska nevojë për koment. E në një tryezë të bollshme flitet për politikë dhe fatet e historisë. Ja me tej Tosun Baçi: Gjermani nuk është okupator. Po se ngave, stë nget. Vetë Hitleri, që thua ti, ka pranuar pavarësinë tonë të plotë në kufijtë e Shqipërisë etnike. Pavarësi e bukur kjo, nën çizmen e ushtarëve gjermanë, përgjigjet i pari ndër partizanë. E çndryshim ka, që thua ti, shton Tosun Baçi, ndërmjet pavarësisë së shpallur duke pasur mbrojtje ushtarin gjerman me atë që shpallet duke sjell ushtarin rus apo anglez?

Te Radiostacioni (1979) ai është Mete Aliu, partizani gjaknxehtë por me shpirt të pastër, për të cilin borgjezka është nepërkë imorale. Ai as zërin Ju flet Tirana!, sia dëgjon dot. Nuk rri unë të dëgjoj se çthotë ajo bushtër. I fus një plumb mu në t sëmës, ja çi bëj. Edhe kjo është zgjedhur si batutë e goditur për kolazhin.

Në filmat që mbulojnë tematikën e njeriut në socializëm, prof. Hasko prapë role modeste luan. Për shembull, te Dhe vjen një ditë, është daja i përkushtuar, njeri përvojën e të cilit tjetri duhet ta varë në vesh. Ne me patate jemi rritur, thotë Viktor Zhusti në rolin e Llane mendjemadhit që ka harruar nga ka ardhur, meqë jeton në kryeqytet e është martuar me vajzën e një nëpunësi në Komitet Ekzekutiv. Kush, ti me patate?, thotë daja. Ty të ka mbajtur jot ëmë me qumësht dallëndyshe. Po në vazhdim, ky dajo është duke therur një derr me Robert Ndrenikën që zemërpulë e mban kryet mënjanë. Pyet daja: Po të vdes unë kush do ti ther derrat? Për këtë rol karakteri, prof. Birçe, është vlerësuar më 1987 me Medaljonin e Festivalit të Filmit Shqiptar për interpretimin më të mirë.

Është Plaku i Sertë te Përrallë nga e kaluara (1987) i Anagnostit: Po ligji zoti Maliq është si puna e këtij shkopit. Ja ligji, ja dhe Maliqi. Ligji në dorën e Maliqit, mund të jetë kështu (bastuni rri mbi një kokë), po mund të jetë edhe kështu (bastuni godet). Ky shkop është i drejtë ë, se ka ca me gunga që…

Te Historiani dhe kameleoni ai është një ndër të shumtët rreshterë idiotë të Monarkisë. Filmi është i vitit 1989, por këndvështrimi mbi historinë i të njëjtit regjisor si për Koncert në vitit 1936, nuk ka ndryshuar.

E meqë jemi tek historia e shqiptarëve në kinema, një temë e pëlqyer edhe për kineastët e dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ja gjuha e një personazhi të prof. Birçes, Çifuti përballë një kamerieri, në filmin I dashur armik (2004) i Gjergj Xhuvanit. Gjermani ka lista të rregullta për gjithë çifutët e shpërndarë nëpër Evropë, thotë Çifuti i trembur nga hyrja e gjermanëve në qytet. Je bërë synet? e pyet kamerieri, i tregoje bilen. Synet jam bërë që i vogël. Edhe çifutët bëhen synet, përgjigjet Çifuti. A e di gjermani këtë zakon tuajin? pyet pa djallëzi kamerieri. Gjermani di gjithçka, e mbyll Çifuti dhe në fytyrë i bie një hije që nuk e

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›