E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një qosh në Ministri për Hawthorne-in e Kasoruhos

Amik Kasoruho, foto arkiv

Njëherë përkthyesi Amik Kasoruho i shprehte në një debat publik ministrit të Kulturës, mërzinë e tij për nivelin amator por agresiv të promocionit të librit në Shqipëri. Kritika nuk ekziston dhe libri ka mbetur në duart e tamtameve të shtypit, siç e quan ai gjendjen e sotme të informimit për kulturën tek ne.

Sot, ora 11.00, Kasoruho prezanton në sallën Tefta Tashko Koço të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, romanin Damka e turpit e Nathaniel Hawthorne-it përkthyer nga Kasoruho. Ky roman i vitit 1850, është e para vepër që vjen në shqipe nga shkrimtari amerikan Nathaniel Hawthorne. Është historia e Ester Prinit, e cila pasi lind vajzë nga një lidhje jashtëmartesore, vendos të ndërtojë jetë të re, bazuar mbi pendimin dhe dinjitetin e gruas së pavarur, në mes të hipokrizisë dhe të presionit të një shoqërie puritane.

Ministria fton në një debat për romanin që ka dy javë që është hedhur në qarkullim. Zakonisht ministria e rezervon qoshen e saj të ngrohtë për botime që ajo financon ose kur është i mjaftë konformizmi, një kusht për të hyrë në atë sallë, e cila e ka për traditë të jetë konformiste. Ajo është ndërtuar në pjesën e tavanit të sallës historike të mbledhjeve të ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është bukur që një përkthyes si Kasoruho mendon e sjell në shqipe autorë si Hawthorne apo Brontë me Lartësi të stuhishme. Po a kishte parasysh për model Kasoruho një praktikë si e sotmja, kur ankohej për një kritikë të mirë për letërsinë? / E.D.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›