E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Universiteti “Fan Noli”, senati akademik i merr vendimin për t’u bashkuar me Universitetin e Tiranës

Bazuar në planet strategjike të zhvillimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe takimeve të herëpashershme me komitetin e koordinimit të politikave për arsimin e lartë, senati akademik i universitetit “Fan Stiljan Noli” ka marrë vendimin për bashkimin me universitetin e Tiranës.
Synimi është profilizimin e këtij institucioni të arsimit të lartë, rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe gjithashtu rritjes së numrit të studentëve. 
“Me vendim të senatit akademik të Universitetit Fan Noli, u hap drita jeshile për të proceduar me hapet e mëtejshme për finalizimit për një bashkim të mundshëm mes universitetit të Korçës dhe atë të Tiranës”, tha rektori Prof. Dr Dhimitri Bello.

Sipas rektorit  Bello, do të hartohet një plan strategjik afatgjatë për realizimin e këtij bashkimi, që do ta kthejë universitetin e Korçës në korpusin kryesor të universitetit të Tiranës.

Rektori Bello ka shtuar më tej se ky vendim i senatit akademik nuk cënon aspak autonominë e këtij institucioni të arsimit të lartë. 

“Me dy korpuse të ndryshme, korpusi i Tiranës dhe korpusi Fan Noli. Do ketë të njëjtin emër, vetëm se do jetë pjesë integrale e universitetit të Tiranës. Ne nuk kemi pasur probleme financiare, kemi mund që të realizojmë rritjen e pagave, por në kuadër të politikave që bëhet në komisionin e orientimit të politikave të arsimit të lartë, ku janë të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe një pjesë e mirë qeverisë. Orientimet janë drejt maksimizimit të forcave universitare brenda për brenda disa trupave, që mos të jenë pjesë të vogla institucione të ndryshme. Ky bashkim do sjellë rritje të cilësisë dhe hapjen e programeve shumë cilësore në të ardhmen” tha zoti Bello.

Ky hap i ndërmarrë nga senati akademik i Universitetit Fan Noli, fillimisht do ti propozohet senatit të Universitetit të Tiranës dhe pas marrjes së miratimit do ti çohet për shqyrtim Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për të dalë më pas me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Shkak i hedhjes së këtij hapi u bënë sfidave me të cilat po përballet ky institucion i arsimit të lartë, si numri i ulët i studentëve dhe raporti staf akademik-student.

Universitetet në rrethe, përfshirë atë të Korçës prej vitesh përballen me rënie të ndjeshme të numrit të studentëve e për pasojë mbylljen e disa degëve të studimit në fakultetin e Shkencave dhe Gjuhet e Huaja. Në Korçë aktualisht studiojnë 3 mijë studentë, ose 20 për qind më pak se një vit më parë.

/ rtsh /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›