E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ura e Kamares" në rrezik shembje

ELBASAN- Në qarkun e Elbasanit janë të pakta urat antike që kanë mundur t'i mbijetojnë kohës. Madje disa prej tyre gjatë viteve të fundit po tregojnë shenja të "plakjes" me ritme të shpejta. Një ndër to është edhe "Ura e Kamares" e cila sipas historianëve dhe arkeologëve është një nga urat më të njohura antike të këtij rajoni. "Ura e Kamares" mendohet se është ndërtuar rreth vitit 1715 e cila është e njohur edhe si Monument Kulture. Kjo urë antike ndodhet mbi rrjedhën e lumit Shkumbin në Xibrakë të komunës së Labinot Fushës, rreth 15 km larg qendrës së qytetit të Elbasanit. Atë e dallon lehtë edhe nga larg kushdo që udhëton përgjatë aksit të rrugës kombëtare që lidh Librazhdin me Elbasanin. Për të vajtur me automjet deri aty ku ajo ndodhet është e pamundur edhe pse kjo urë antike ngjall interes të jashtëzakonshëm te turistët vendas e sidomos te ata të huaj. Por fatkeqësisht "Ura e Kamares" rrezikon shembjen, si shkak i agjentëve atmosferikë por edhe për shkak të mungesës së mirëmbajtjes saj. Prej kohësh njëra nga pesë këmbët e "Urës së Kamares" është e dëmtuar së tepërmi. Ndërsa në balloren e këmbës së katërt, gurët kanë dalë duke krijuar zgavra në murin anësor vertikal. Banorët e zonës thonë se përveç këtyre faktorëve ndonjëherë persona të papërgjegjshëm kanë "shkulur" gurët e këmbëve të saj. Jo vetëm kaq por ka patur mjaft raste që peshkatarët kur futen në rrjedhën e Shkumbinit gjuajnë me dinamit e lloje të tjera lënde plasëse pranë këmbëve të saj duke e rezikuar serizisht këtë Monument Kulture. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto "vuajtje" për të, jo të rralla kanë qenë rastet kur janë dëmtuar themelet e këmbëve të saj nga piratët e kërkimeve të thesareve të dyshuara se qëndrojnë të fshehura poshtë këmbëve të urës antike. Sipas specialistëve por dhe banorëve të fshatit, prej mëse dy dekadash vjetësh "Ura e Kamares" nuk ka njohur asnjë rikontruksion për mungesë fondesh nga qeveria. Të vetmet punime restauruese janë kryer ne vitet 1982 dhe 1991, nga Dega e Monumenteve të Kulturës Tiranë, ku u ndërtua një mur mbrojtës në bregun e djathtë për të pakësuar gërryerjen e bregut në këtë anë. Sipas mbishkrimit turqisht në pllakën e gurit të Kamares, e cila sot ruhet në qendrën e Monumenteve të Kulturës në kryeqytet, ura është ndërtuar në vitin 1715 nga një specialist nga Elbasani. Arkeologu dhe historiani i mirënjohur, Riza Hasa, njëkohësisht edhe pedagog në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan shpreh keq ardhjen që një monumet kulture i tillë sikurse është "Ura e Kamares", po lihet në mëshirë të fatit. Ajo në thellësinë e shekujve lidhte rrugën mesjetare të Karvaneve që vinte nga Elbasani e që prej urës së Haxhi Beqarit kalonte majtas lumit Shkumbin, duke ndjekur trasenë e rrugës antike Egnatia për të vazhduar drejt Korçës e më tej për në Maqedoni e Greqi. Në këtë urë shkëputej dega rrugore që lidhte Elbasanin me krahinën e Dibrës nëpërmjet Klenjës e Zerqanit. "Ura e Kamares" sipas arkeologëve është interesante përsa i përket anëve arkitekturore me përpjestimet harmonike mur-hapësirë dhe me trajtim konstruktiv. Si ndërtim, në përgjithsi ajo qëndron e lidhet hijshëm me natyrën malshtrat lumi që e rrethon. Por që monumente të tilla kulture të mos "vdesin" kurrë duhen mirëmbajtur në të gjitha format e mundshme sepse janë thesare të papërsëritshme.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›