E Diel, 1 Nëntor 2026

Ura e Rakovinës ende jashtë funksionit

Shkatërrimi i urës mbi lumin Drini i Bardhë në afërsi të fshatit Kramovik ditë më parë si rezultat i reshjeve të mëdha të shiut, ka mobilizuar Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Forcës së Sigurisë, batalionin e xhenios të FSK-së dhe administratën komunale në Rahovec për të ndërmarrë masat e duhura për qarkullim të njerëzve dhe mallrave.

Në kuadër të kësaj drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe pronë në Rahovec Fatmir Iska, priti një delegacion të përzier për fillimin e punimeve në këtë objekt.

Skënder Muçolli, nga Ministria e FSK-së tha se fillimisht kërkohet evidentimi i pronave private në afërsi të urës, me qëllim që të ndërtojmë një urë provizore për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe mallrave.

“Këto prona duhet të eksportohen përkohësisht, deri në përfundimin e punimeve në urë. Këto prona janë në zonën kadastrale të Kramovikut. Ministria do të bëjë kompensimin e pronave, ndërsa marrëveshjet do të bëhen me pronarët legjitimë. Mendohet që deri më 22 prill të fillohet ndërtimi i rrugës. Kjo është situatë emergjente, prandaj kërkon reagim të shpejtë. Përgjegjësinë për kompensimin e pronarëve e merr përsipër Ministria. Pritet që deri në vjeshtë kjo punë të përfundojë, sepse punimet në urë janë komplekse. Do të arrihet një marrëveshje me palët dhe me Komunën e Rahovecit dhe të Gjakovës për realizimin me sukses të këtij projekti”, shtoi Muçolli.

Majore e FSK-së Arife Halili, shefe për marrëdhënie civile-ushtarake në komandën forcave tokësore të FSK-së, tha se batalioni i xhenios është i gatshëm të marrë përsipër ndërtimin e urës provizore, mirëpo paraprakisht kërkohet marrëveshja që do të ndikonte në fillimin e punimeve.


Fatmir Iska, drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës në Rahovec u shpreh i gatshëm të ndihmojë në realizimin sa më të shpejtë të këtij projekti, duke u zotuar se administrata komunale do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për evidentimin e pronave dhe kontaktet me pronarët e tokave në atë zonë.

Një delegacion i përzier në përbërje; Agron Durmishi, zyrtar për bashkëpunim civile-ushtarake në Ministrinë e FSK-së, Rrahman Gjokaj, inxhinier në MSFK, Fatmir Iska dhe përfaqësues të tjerë të administratës komunale kanë dalë në vend të ngjarjes dhe kanë parë nga afër gjendjen në terren. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›