Ura e Vashës në Klos, një prej destinacioneve më të bukura turistike

TIRANË, 30 gusht/ATSH/ Ura e Vashës, një prej destinacioneve më të bukura turistike të zonës së Klosit, po tërheq këtë periudhë një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga “Ura e Vashës në Klos, një prej destinacioneve më të bukura dhe më të vizituara edhe nga turistët vendas e të huaj që freskohen në ujërat e lumit Mat në këto ditë të fundit të gushtit.
E vendosur mbi lumin Mat, mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë, Ura e Vashës ndërthur vlerat e trashëgimisë kulturore me peizazhin natyror të zonës, duke u kthyer në një pikë të preferuar për turistët që zgjedhin të eksplorojnë destinacionet jashtë itinerareve tradicionale.
Vizitorët ndalen pranë urës për të shijuar peizazhin, për të fotografuar monumentin historik dhe për të njohur nga afër një prej dëshmive të arkitekturës tradicionale shqiptare.
Ura, e ndërtuar me gurë e llaç gëlqeror, është 11 metra e gjatë, 2,8 metra e gjerë dhe harku i saj ngrihet rreth 7 metra mbi sipërfaqen e ujit. Ajo është një urë me hark gjysmërrethor dhe përbën një nga elementet karakteristike të trashëgimisë së trevës së Matit.
Përveç vlerave historike, zona përreth Urës së Vashës ofron një peizazh të veçantë malor, duke e bërë destinacionin tërheqës për vizitorët që kërkojnë natyrën, qetësinë dhe historinë.
E lidhur edhe me itinerarin e Rrugës së Arbrit, Ura e Vashës po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një prej pikave turistike që nuk duhen lënë pa u vizituar në qarkun e Dibrës. Bashkia Klos e ka promovuar prej vitesh si një destinacion për turistët vendas dhe të huaj.
Ura e Vashës është pjesë e trashëgimisë historike të zonës dhe vijon të mbetet një prej simboleve turistike të Klosit, ku historia, arkitektura dhe natyra ndërthuren në një prej peizazheve më karakteristike të Matit.
/m.m/r.e/