E Diel, 1 Nëntor 2026

Ura e tretë mbi Ibër merr formë, Kurti: Forcojmë sigurinë e infrastrukturës përreth

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ishte sot në Mitrovicë për të ndjekur nga afër punimet për urën e tretë mbi lumin Ibër, nga ku tha se ura do të jetë 65 metra e gjatë dhe me gjerësi 22.5 metra.

Në kuadër të këtij projekti përfshihet edhe ndërtimi i dy rrethrrotullimeve.

“Ura është projektuar me gjatësi 65 metra dhe me gjerësi 22.5 metra. Gjerësia është po kaq e madhe, 22.5 metra, meqëse do të jetë me katër korsi, secila prej tyre 3.5 metra, dhe njëkohësisht në të dy anët do të ketë edhe trotuare. Projekti përfshin edhe ndërtimin e dy rreth-rrotullimeve, si dhe një segmenti rrugor me gjatësi 500 metra, me katër korsi nga 3.5 metra secila dhe trotuare me gjerësi prej 2.2 metra. Në kuadër të projektit është paraparë edhe rehabilitimi i shtratit të lumit Ibër në një gjatësi prej 525 metrave dhe gjerësi prej 47 metra”, tha Kurti.

Kurti tha se qëllimi i projektit është mbrojtja e mjedisit dhe parashihet të përfundojë si projekt sivjet.

“Qëllimi është mbrojtja e mjedisit, rritja e sigurisë dhe mbrojtja e infrastrukturës përreth. Rëndësi e posaçme i është kushtuar ndriçimit adekuat dhe modern. Janë paraparë shtylla ndriçuese përgjatë urës, trotuareve dhe hapësirave përreth lumit. Sa i përket ecurisë së punimeve, po zhvillohen sipas planit dinamik dhe nëse vazhdon ky ritëm që po e shohim, atëherë do të mund ta inaugurojmë përmbylljen e punimeve sivjet, pra nga fundi i 2026”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha tha se kjo urë ofron siguri dhe se janë në bashkëpunim me organet e rendit.

Basha tha se ky projekt ofron edhe shërbime për qytetarët dhe për bizneset.

“Pra, siç e tha kryeministri, është një urë që ofron siguri. Ne si Ministri e Infrastrukturës jemi në bashkëpunim të ngushtë me organet e sigurisë dhe rendit. Dhe kjo është ura e tretë që po bëhet me qeverisjen Kurti, që tregon që ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë pra organeve të sigurisë dhe të rendit qasje sa më të shpejtë dhe më të lehtë në të dy anët e Ibrit. Përveç kësaj, ofron edhe shërbime për qytetarët, për bizneset dhe sigurisht që kjo do ta rritë edhe vlerën e kësaj hapësire ku do të ketë edhe ndërtime, por edhe biznese që do të zhvillohen”, tha Basha.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›