Urdhërarrest për Netanyahun, Gjykata Ndërkombëtare kërkon “kokën” e kryeministrit izraelit

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar sot urdhër arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Rripin e Gazës.
“Dhoma vlerësoi se ka arsye për të besuar se të dy individët me dashje dhe me vetëdije privuan popullatën civile në Gaza nga objektet e domosdoshme për mbijetesën e tyre, duke përfshirë ushqimin, ujin, ilaçet dhe furnizimet mjekësore, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike. Ky konstatim bazohet në rolin e z. Netanyahu dhe z. Gallant në pengimin e ndihmave humanitare në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare .Mungesa e ushqimit, ujit, energjisë elektrike dhe karburantit, si dhe furnizimeve specifike mjekësore, solli shkatërrimin e një pjese të popullsisë civile në Gaza, gjë që rezultoi në vdekjen e civilëve, përfshirë fëmijët për shkak të kequshqyerjes dhe dehidrimit.”
Po ashtu Gjykata ka lëshuar një urdhër arresti edhe për kreun e Hamasit Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, i cili sipas zyrtarëve izraelitë ka mbetur i vdekur gjatë një sulmi ajror në korrik të këtij viti.
“Në lidhje me z. Deif, Prokuroria tregoi se do të vazhdojë të mbledhë informacion në lidhje me vdekjen e tij të raportuar. Më 15 nëntor 2024, Prokuroria, duke iu referuar informacioneve nga autoritetet izraelite dhe palestineze, njoftoi Dhomën se nuk është në gjendje të përcaktojë nëse Z. Deif është vrarë apo mbetet gjallë. Prandaj, Dhoma lëshon urdhrin aktual të arrestit. Prokuroria vuri në dukje gjithashtu se vazhdon të hetojë krimet në konfliktin e vazhdueshëm dhe parashikon që të dorëzohen kërkesa të mëtejshme për urdhër arresti.”
Ky vendim nenkupton se Netanjahu dhe të akuzuarit e tjere tani kërkohen ndërkombetarisht duke i izoluar ata edhe më shumë.
Njëkohësisht, urdhër-arrestet kanë mundësi t’i ndërlikojnë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi apo për t’i dhënë fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit.
Megjithatë, këto fletarreste mund të jenë të kufizuara në praktikë, duke qenë se Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, nuk janë anëtarë të kësaj gjykate, ndërsa disa zyrtarë të Hamasit janë vrarë tashmë në luftë./vizionplus.tv