Urdhri i Mjekëve: Doktori nuk e ka shkelur kodin e etikës
Institucioni i Urdhrit të Mjekëve ka reaguar për çështjen e pacientes 58-vjeçare nga Tirana, Marika Sula. Pas shqyrtimit që i është bërë çështjes, ballafaqimit dhe vlerësimit të dokumentacioneve, institucioni ka reaguar zyrtarisht, duke sqaruar se në këtë rast nuk ka shkelje të kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore, si dhe nuk rezulton shkelje në drejtim të etikës dhe raportit mjek-pacient. Për sa i takon kompensimit që kërkojnë familjarët e pacientes, sipas Urdhrit të Mjekut për këtë problem, të interesuarit mund t’i drejtohen organeve të gjyqësorit të rrethit.
Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, Këshilli Rajonal, Qarku i Tiranës
Lënda: “Mbi shqyrtimin e ankesës për kequshtrim profesioni”
Urdhri i Mjekëve të rajonit Tiranë vlerësoi ankesën me të cilën ju akuzoni klinikën ortodokse dhe profesorin, i punësuar prej saj për mashtrim me pasoja mjaft të rënda për shëndetin e gruas dhe gjithë familjes suaj, për arsye të diagnozës së gabuar të dhënë nga mjeku në fjalë, për të cilat kërkoni një kompensim financiar të dëmit.
Për çka ankoheni u veprua në mbështetje të rregullores “Mbi gjykimin mjekësor profesional” si vijon:
Në përputhje me rregullin 18 të rregullores së sipërpërmendur, profesori, pasi u njoh me ankesën, iu kërkuan me shkrim opsionet për rastin. Njëkohësisht Urdhri i Mjekëve të rajonit verifikoi të gjitha dokumentet e paraqitura në zyrat tona.
Në përfundim të fazës verifikuese, mbështetur në rregullin 20 të rregullores, mbi gjykimin profesional nën kujdesin e presidentit të Këshillit Rajonal, u krye ballafaqimi me mjekun që akuzohet për kequshtrim profesional dhe për thyerje të normave etike, si dhe shqyrtimi i çështjes në mbledhjen e kryesisë së Këshillit Rajonal, ku morën pjesë ankuesi dhe mjeku i akuzuar.
Kryesia e Këshillit Rajonal të Tiranës pasi dëgjoi palët dhe debatoi rreth çështjes konkludoi se:
Kjo diagnozë e tumorit beninj, që sipas mendimit të mjekut paraqet edhe qeliza të malinjizimit fillestar, tregon një hiperdiagnozë që në kushte normale rishitet, diskutohet dhe verifikohet nga specialisti që e ka parë tumorin dhe dërgon një copëz prej tij në analizë. Për fat të keq, problematika nuk ka marrë rrugën normale, por familjarët, të alarmuar nga fjalët “malinjizim fillestar” i janë drejtuar klinikave jashtë vendit në Turqi dhe Itali, ku përveç një infeksioni në stomak të diagnostikuar edhe në klinikë, konstatohet një tumor i mirë i vogël, i cili hiqet pa problem.
Gjatë shqyrtimit të ankesës në kryesinë e Këshillit Rajonal nuk rezulton që pacienti të jetë rekomanduar për analiza laboratorike apo ndërhyrje kirurgjikale jashtë vendit. Këto veprime janë kryer nga familjarët, të cilët të alarmuar, kanë ndërmarrë një veprim të tillë që sigurisht ka pasur edhe kosto financiare. Për fat të keq, fenomene të tilla në fushën e mjekësisë, e cila nuk është shkencë ekzakte, ndodhin në mjekësinë tonë, por edhe në atë të vendeve të tjera të zhvilluara.
Në aspektin e zbatimit të kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore në ballafaqim nuk rezultoi shkelje e tij në drejtim të etikës dhe raportit mjek-pacient.
Si përfundim Këshilli Rajonal i Urdhrit të Mjekëve të Tiranës, pasi shqyrtoi dhe debatoi gjerësisht mbi rastin, konkludoi se nuk kemi të bëjmë me shkelje të kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore në raport me qëndrimin e mjekut ndaj të sëmurës dhe familjarëve të saj, për sa i përket kompensimit financiar të shpenzimeve, siç është sqaruar edhe në ballafaqim, nuk është në atributet e organeve të Urdhrit të Mjekëve. Për këtë problem mund t’i drejtoheni organeve të gjyqësorit të rrethit.
Këshilli Rajonal i Urdhrit të Mjekëve të Tiranës, duke ju falënderuar për ankesën dhe bashkëpunimin me ne, siguron se ajo do të vlerë për trajtimin me shumë seriozitet të kësaj problematike me institucionet shëndetësore publike e private me Këshillin Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, duke kërkuar që mjekët të rrisin profesionalizmin dhe këmbënguljen e tyre me qëllim që ndodhi të këtij lloji të evitohen ose të minimizohen në maksimumin e mundur.
#